AC Milan i është bashkuar Newcastle United, në garën për të siguruar shërbimet e yllit të Everton, Dominic Calvert-Lewin. Lojtari ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, dhe për shkak të faktit se kontrata e tij aktuale me Everton skadon në qershorin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se klubi anglez rrezikon të humbasë me kosto zero lojtarin, nëse nuk arrin një marrëveshje gjatë merkatos së janarit.
Drejtuesit e Everton po bëjnë çmos që lojtari të firmosë një kontratë të re, por duket se largimi i tij nga Goodison Park është një çështje kohe. Newcastle ka nevojë për përforcime në sulm, pasi Alexander Isak është përfolur prej kohësh për një largim nga St. James Park. Calvert-Lewin do të ishte perfekt për repartin e sulmit, dhe kjo vlen dhe për AC Milan. Italianët kanë monitoruar sulmuesin prej kohësh, dhe shpresojnë ta afrojnë atë me kosto zero në San Siro, në fund të sezonit. Në të njejtën kohë, Roma gjithashtu është duke ndjekur nga afër Dominic Calvert-Lewin. Megjithatë, klubi kryeqytetas thuhet se ka dhe alternativa të tjera në radarin e vet, përsa i përket sulmit.
Ndërkohë, Everton rrezikon të humbasë dhe një tjetër lojtar mjaft të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Jarrad Branthwaite i cili po monitorohet nga Real Madrid. Qendër-mbrojtësi ka një kontratë aktive me Everton deri në vitin 2027, dhe anglezët janë në pozita më të mira për të negociuar me klubet që kërkojnë kartonin e tij. Branthwaite është në listën e objektivave të Real Madrid në merkaton e janarit, pasi lojtari shihet si zëvëndësuesi perfekt për Eder Militao, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të blerta deri në fund të sezonit.
Real Madrid do të duhet të luftojë me disa nga klubet më të mëdha në Premier League, për të sjellë Jarrad Branthwaite në Bernabeu, teksa lojtari është gjithashtu në vëmendjen e Manchester United dhe Liverpool.