Chelsea dhe West Ham janë duke monitoruar sulmuesin e talentuar të Aston Villa, Jhon Duran. Ky i fundit ka shënuar 5 gola deri më tani në këtë start sezoni, në të gjitha kompeticionet, duke ndihmuar ekipin e tij të fitojë 4 nga 5 ndeshjet e luajtura në Premier League. Duran u linkua me një transferim të mundshëm tek një ekip rival gjatë merkatos së verës. Pavarësisht se asgjë konkrete nuk u realizua, duket se sulmuesi është ende pranë një aventure të re në Angli.
Drejtuesit e Chelsea duan të sjellin në Stamford Bridge një sulmues të konfirmuar, që mund të garantojë gola çdo ndeshje. E njejta gjë vlen dhe për West Ham. Këta të fundit kanë vuajtur për të gjetur rrugën e rrjetës në javët e fundit, pavarësisht afrimit të Niclas Fullkrug. Ekipi duket i pabalancuar, sidomos në repartin ofensiv, dhe drejtuesit e klubit mund të jenë të detyruar të shpenzojnë në merkaton e janarit, për të zgjidhur problemin e golave.
Aston Villa nuk dëshiron që Duran të largohet dhe drejtuesit e klubit do të bëjnë çmos që të mos humbasin sulmuesin. Megjithatë, klubi ka nevojë gjithashtu për përforcime, dhe rrjedhimisht për sa më shumë mundësi financiare. Sipas mediave angleze, drejtuesit e Aston Villa duan të sjellin në ekip mbrojtësin e Liverpool Joe Gomez. Lojtari ka luajtur vetëm 100 minuta këtë sezon nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, dhe po konsideron largimin nga Liverpool. Gomez ishte afër largimit merkaton e verës po një lëvizje nuk u konkretizua.
Aston Villa kërkon të përforcojë repartin e mbrojtjes, dhe mbrojtësi i Liverpool duket alternativa perfekte. Sidomos duke marrë parasysh faktin se lojtari mund të mbulojë disa pozicione në fushë. Kjo u vu re sezonin e kaluar, kur Gomez u aktivizua dhe në mesfushë për “The Reds”.