Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka thënë se ndihet konfident se mund të fitojë trofe me ekipin e tij, duke thënë se në 2 vitet e fundit vetëm Manchester City ka fituar më shumë trofe se “Djajtë e Kuq”. Në prag të përballjes së rëndësishme me Liverpool, tekniku hollandez vuri theksin tek triumfet e tij në Carabao Cup dhe FA Cup. Ten Hag u shpreh:
“Në dy vitet e fundit vetëm City ka fituar më shumë trofe se ne në futbollin anglez. Ky është realiteti. Këto janë faktet. Këtë vit duam të fitojmë. Duam të fitojmë trofe. Jam konfident se do ta bëjmë këtë.”
Deklaratat e Ten Hag kanë marrë reagime të miksuara nga opinioni public, teksa shumë fansa por dhe komentatorë sportivë janë treguar të shpejtë për të theksuar faktin se sezonin e kaluar, United e mbylli kampionatin në vendin e 8 në renditje. Ky ishte rekordi më negativ për “Djajtë e Kuq” që prej vitit 1990. Humbja në javën e fundit në Premier League ndaj Brighton gjithashtu nuk ka lënë një shije të mirë në këtë fillim sezoni. Megjithatë, Ten Hag është shprehur dhe një herë tjetër i bindur për progresin e skuadrës së tij:
“Më është dashur që ta ndërtoj këtë ekip. Kemi marrë lojtarë të rinj dhe i kemi rritur nga ana profesionale. Kemi fituar trofe. Çfarë mund të bëj më shumë? Me aq sa di une, fansat janë të lumtur me mua, por nuk më intereson nëse nuk marrë meritat. Kjo nuk ka të bëjë me mua por me Manchester United. Jemi një klub ambicioz…Duhet të punojmë shumë fort për të arritur objektivat tanë.”
Kujtojmë se që prej ardhjes së tij në krye të pankinës, Ten Hag ka shpenzuar më shumë se 600 milionë paundë në merkato.