Pas shkarkimit të Jose Mourinho, drejtuesit e Roma kanë caktuar legjendën e klubit, Daniele de Rossi, si trajnerin e ri. De Rossi do të jetë në krye të pankinës deri në fund të këtij sezoni, por nuk përjashtohet mundësia për një kontratë afatgjatë, nëse drejtuesit e klubit binden nga aftësitë e ish-lojtarit.
Mourinho ndërkohë u shkarkua pas 3 vitesh nën drejtimin e klubit. Portugezi startoi karrierën e tij në kryeqytet në vitin 2021, dhe arriti të triumfojë me ekipin në Europa Conference League. Vitin e kaluar, Mourinho gjithashtu udhëhoqi ekipin në finalen e Europa League, por Roma nuk ia doli dot të fitonte trofeun. Megjithatë, forma e sezonit aktual duket se ka qënë e papranueshme për drejtuesit e Roma, të cilët kanë zgjedhur të shkëputin marrdhënien me “The Special One”. Roma mban momentalisht vendin e 9 në renditjen e Serie A, 5 pikë larg zonës së Champions League. Për më shumë, ekipi u eleminua nga Coppa Italia, pas disfatës ndaj rivalëve të Lazio.
Ndërkohë përsa i përket Daniele de Rossi, ish-lojtari është një nga figurat më të respektuara të klubit. Ai është produkt i akademisë së Roma dhe në karrierën e tij të gjatë me ekipin është aktivizuar plot 616 herë, nga viti 2001 deri në vitin 2019. De Rossi hoqi dorë nga futbolli i luajtur në vitin 2020. Përsa i përket eksperiencës së tij si trajner, De Rossi ishte në krye të SPAL në Serie B për 17 ndeshje, përpara se të shkarkohej nga ana e klubit. Tekniku i ri i Roma u shpreh mjaft i emocionuar për detyrën e re:
“Emocioni i të ulurit në stolin e klubit tonë është i papërshkrueshëm, të gjithë e dinë se cfarë është Roma për mua, por puna që duhet të bëjmë të gjithë, tashmë zë vendin kryesor në mendjen time…”