Humbja ndaj Dortmund, CONTE akuzon!

conte

Zikaltrit e drejtuar nga Conte u mposhtën nga Dortmund në një ndeshje ku kryesonin me dy gola në fund të pjesës së parë dhe trajneri Italian nuk i permbajti kritikat ndaj strategjisë së klubit për një sezon kaq të ngjeshur.

Inter kryesonte 2-0 pas një pjese të parë perfekte, por në vazhdim pësoi 3 gola duke e mbyllur ndeshjen me një humbje që i ul ndjeshëm shanset e tyre për kualifikim. Si rrjedhojë Conte u shfaq mjaft i frustruar në deklaratat e tij pas ndeshjes.

“Janë bërë gabime të mëdha në planifikimin e këtij sezoni, jam lodhur duke e thënë këtë,”- u shpreh trajneri Italian për Sky Sport Italia në përfundim të ndeshjes.

“Nuk më intereson cfarë ndodh në Janar apo Shkurt. Duhet ta kishim planifikuar këtë sezon shumë, shumë, më mirë.  Kemi treguar se mund ti sjellim probleme kujtdo nëse jemi në formë, por ka futbollistë që kanë luajtur pa asnjë pushim. Jam lodhur duke e thënë këtë. Ju mund ti nxirrni vetë konkluzinet për atë pjesë të dytë.”

“Nuk është thjesht cështje e skuadrës apo e klubit, por që të gjithë ne duhet të punojmë së bashku, dhe kanë ndodhur gabime të mëdha. Ne nuk mund të luajmë në Serie A dhe Champions League vazhdimisht përtej limiteve tona. Jam mjaft i nxehur, sepse nuk mund të bëjmë më shumë se kaq, kemi arritur limitin tonë.

Konte u shfaq aq i acaruar sa nuk pranoi as ta diskutonte humbjen e skuadrës së tij duke theksuar se lojtarët e tij bënë gjithcka që mundeshin duke pasur parasysh rrethanat.

“Nuk dëshiroj as ta komentoj pjesën e dytë. Thjesht shpresoj se kjo lloj ndeshje i qartëson gjërat për ata që kanë nevojë të kuptojnë. Djemtë po ecin me 100 km/h dhe unë mundem vetëm ti falenderoj për atë që po bëjnë gjatë kësaj periudhe. Ata nuk mund të japin më shumë se kaq.”

“ Kjo ndeshje më ka irrituar dhe shpresoj që të njëjtën ndjesi ta kenë patur edhe futbollistët e mi. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër vecse të punojmë dhe këtë jemi duke bërë. Jam lodhur duke thënë të njëjtat gjëra cdo herë, shpresoj që një drejtues të vijë këtu dhe ti thotë këto gjëra në vendin tim.”

Fillimi i këtij sezoni ska qenë aspak i keq për Inter në kampionatin italian. Zikaltrit ndodhen në vendin e dytë vetëm 1 pikë më pak se Juventusi kryesues. Gjithashtu loja e treguar nga skuadra e Conte i ka befasuar të gjithë për shpejtësinë me të cilën italiani e përshtati skuadrën me filozofinë e tij të të luajturit. 

Megjithatë arena europiane vazhdon të jetë një pikë e dobët e këtij Interi. Pas një barazimi zhgënjyes ndaj Slavia Praga dhe një humbjeje ndoshta të pamerituar ndaj Barcelonës, zikaltrit fituan në shtëpi ndaj Dortmund duke ringjallur shpresat për kualifikim, por humbja e djeshme dhe mënyra në të cilën ajo erdhi, e ka zbehur shkëlqimin e Inter dhe ka minimizuar shanset e tyre për të shkuar më tej në Champions League.

Ndoshta Conte ka të drejtë, këtij ekipi i mungojnë alternativat në stol për të përballuar një volum të madh ndeshjesh dhe drejtuesit do të duhet të investojnë në merkatot e ardhshme për ti dhënë trajnerit të tyre skuadrën që dëshiron. Deri atëherë Conte mund të bëjë vetëm më të mirën me futbollistët që ka në dispozicion. 

Tagged with:

Leave a Comment