Ish-mbrojtësi i Real Madrid, Manchester United dhe kombëtares franceze, Raphael Varane, ka lajmëruar tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur. Varane iu bashkua ekipit të Como në Serie A këtë verë, por francezi pësoi një dëmtim në sfidën e tij të parë me klubin përballë Sampdoria. Mbrojtësi ka bërë të ditur se pavarësisht tërheqjes nga futbolli, do të vazhdojë të jetë pjesë e Como, por në një rol tjetër, jashtë fushës së blertë. Në një deklaratë zyrtare, Varane u shpreh:
“Unë e mbaj veten time në standartin më të lartë. Dua që të heq dorë në formën time më të mirë, jo kur të jem duke u munduar. Kërkon një kurajo të madhe që të dëgjosh zemrën dhe instinktet e tua. Kam rënë dhe jam ngritur me mijëra herë por ky është momenti që të ndaloj dhe të var këpucët, me ndeshjen time finale ku ngrita një trofe në Wembley.”
Varane shtoi:
“Nuk kam asnjë pendesë. Nuk do të ndryshoja asgjë. Kam fituar më shumë sesa kisha ëndërruar ndonjëherë. Por përtej trofeve dhe vlerësimeve, jam krenar për faktin që i kam qëndruar besnik parimeve të mia të të qënit i sinqetë, dhe kam dhënë çdo gjë më mirë sesa e kam gjetur. Shpresoj që t’ju kem bërë të gjithëve krenarë.”
Ndërkohë mbi të ardhmen e tij, mbrojtësi francez u shpreh:
“Një jetë e re fillon jashtë fushës. Do të vazhdoj të jem pjesë e Como. Vetëm pa këpucët dhe mbrojtëset e këmbëve. Kjo është diçka për të cilën do të ndaj më shumë me ju në vazhdim.”
Varane është një nga mbrojtësit më të dekoruar në historinë e futbollit. Francezi fitoi 3 herë La Liga-n dhe 4 herë UEFA Champions League gjatë aventurës së tij tek Real Madrid. Ai fitoi Carabao Cup dhe FA Cup me Manchester United, si dhe kupën e botës me kombëtaren franceze.