Drejtuesit e Manchester City janë gjithnjë e më të bindur se Erling Haaland do të firmosë së shpejti një kontratë të re afatgjatë me “qytetarët.” Manchester City po përballet me një periudhë të vështirë. Barazimi shokues në Champions League ndaj Feyenoord erdhi pas 5 humbjeve rresht në Premier League, të cilat kanë ngritur shumë pikëpyetje për ekipin e Pep Guardiola.
Megjithatë, tekniku spanjoll firmosi një kontratë të re 2 vjeçare javën e kaluar, dhe duket se Erling Haaland do të ndjekë hapat e Guardiola, duke rinovuar me City. Sipas mediave angleze, sulmuesi norvegjez pritet të firmosë një marrëveshje të vlefshme deri në vitin 2029. Për momentin, Haaland ka ende 2 vite e gjysmë të vlefshme në kontratën e tij aktuale me klubin. Megjithatë, marrëveshja aktuale ka të parashikuar dhe një klauzolë për prishjen e kontratës në vlerën e 173 milionë paundëve.
Drejtuesit e City dëshirojnë që të eleminojnë këtë klauzolë, pasi çdo ekip i interesuar mund të paguajë shifrën e parashikuar dhe të sigurojë shërbimet e bomberit norvegjez. Kujtojmë se sulmuesi ka gjetur plot 12 herë rrugën e rrjetës këtë sezon në Premier League, pavarësisht disfatave të fundit të Manchester City.
Sipas burimeve pranë klubit, ekziston një dakordësi verbale mes Haaland dhe përfaqësuesëve të City, për të bërë publik nënshkrimin e kontratës së re, përpara fundit të këtij sezoni. Lojtari është i lumtur në Etihad, dhe nënshkrimi i kontratës së re nga Guardiola ka ndikuar mjaft pozitivisht dhe tek Haaland në lidhje me të ardhmen e tij tek City.
Haaland fitoi UEFA Champions League në sezonin e tij të parë me Manchester City, ndërkohë që lojtari gjithashtu ka fituar Premier League në të dyja sezonet e tij në Etihad. Sulmuesi ka shancin të triumfojë për të tretën herë rradhazi në kampionatin anglez, nëse City fillon të ngushtojë distancën me Liverpool-in kryesues.