Portieri brazilian i Manchester City, Ederson, duket se është afër largimit nga Etihad. Mediat angleze kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se braziliani është afër një transferimi në Arabinë Saudite. Al Nassr është një prej ekipeve të interesuara për shërbimet e Ederson, i cili mendohet se është i hapur për një lëvizje të tillë. Përveç Al Nassr, klube të tjera arabe gjithashtu janë interesuar për portierin.
Ndërkohë përsa i përket Manchester City, drejtuesit e klubit nuk janë të ngutur për të shitur Ederson. Braziliani ka dhe 2 vite në kontratën e tij aktive me “qytetarët”, dhe drejtuesit e City pritet të kërkojnë minimalisht 30 milionë paundë për kartonin e tij. Ederson është pjesë e klubit anglez që prej vitit 2017, kur u transferua nga Benfica për shifrën e 35 milionë paundëve. Portieri ka fituar plot 17 trofe madhorë me Manchester City dhe është tashmë gati për një aventurë të re.
Në rast se Ederson largohet, për momentin do të jetë portieri i dytë i skuadrës, Stefan Ortega, ai që do të mbrojë portën e City sezonin e ardhshëm. Portieri gjerman e provoi disa herë veten në sezonin që lamë pas, dhe trajneri Pep Guardiola është i bindur në aftësitë e tij. Bordi i Manchester City nuk pritet të nxitohet në këtë merkato vere, për të sjellë përforcime të reja, teksa Ortega ofron siguri për “qytetarët”.
Nëse Ederson vendos të largohet drejt Arabisë Saudite, ky nuk do të ishte rasti i parë për një futbollist të Manchester City. Aymeric Laporte u largua verën e kaluar nga Emirates për t’iu bashkuar Al Nassr. Në të njejtën kohë, Riyad Mahrez u largua nga City për t’u bashkuar me Al Ahli. Përveç Ederson, lojtarë të tjerë në kampin e Pep Guardiola gjithashtu janë përmendur për një largim të mundshëm drejt Arabisë Saudite. Mes tyre dhe Kevin de Bruyne.