Kevin de Bruyne mund të jetë duke luajtur sezonin e tij të fundit në Premier League, me Manchester City. Ky është lajmi që kanë raportuar mediat angleze, teksa lojtari është në bisedime me San Diego FC, klubin e MLS në Amerikë. Burime të afërta pranë lojtarit kanë bërë të ditur se në rast të një largimi nga City, mefushori preferon të luajë në MLS, dhe jo në Arabinë Saudite, një tjetër destinacion i linkuar me De Bruyne.
Për momentin, bisedimet mes lojtarit dhe San Diego janë ende në fazat e hershme. Disa zëra në media raportuan se klubi amerikan i ka ofruar belgut një kontratë me vlerë 20 milionë euro në sezon, por ky lajm u përgënjeshtrua nga burime të tjera. Kevin de Bruyne mbetet një figurë mjaft e rëndësishme për trajnerin Pep Guardiola tek Manchester City, dhe lojtari do të qëndrojë në Etihad në merkaton e janarit.
Problemi kryesor për drejtuesit e City është fakti se kontrata e futbollistit skadon në verën e ardhshme. Kjo do të thotë se nëse lojtari nuk rinovon me “qytetarët” brenda këtij afati, ai mund të largohet me kosto zero. Burime pranë klubit kanë bërë me dije se drejtuesit e City kërkojnë që të mbajnë De Bruyne në Etihad, por kjo do të jetë e vështirë.
Pavarësisht se Arabia Saudite nuk duket të jetë destinacioni i preferuar për De Bruyne, lojtari nuk e ka përjashtuar mundësinë e të luajturit në Saudi Pro League. Në një intervistë të para disa muajve, lojtari u shpreh për idenë të të luajturit në Arabi:
“Në moshën time duhet të jesh i hapur për gjithçka. Bëhet fjalë për shuma monetare të jashtëzakonshme, në atë që mund të jetë periudha e fundit e karrierës time. Ndonjeherë duhet të mendosh për këtë.”