Mediat angleze kanë raportuar se Erik ten Hag gëzon ende mbështetjen e figurave të rëndësishme drejtuese në Old Trafford, pavarësisht humbjes ndaj Liverpool në shtëpi. Tekniku hollandez është përsëri në presion mediatik, pas performancës mjaft të dobët në fushën e vet, përballë rivalëve historikë. Kujtojmë se përpara disfatës ndaj Liverpool, United u mposht nga Brighton me rezultatin 2-1. “Djajtë e Kuq” kanë marrë vetëm 3 pikë nga 3 ndeshjet e para në Premier League dhe gjenden në vendin e 14 në renditjen e përgjithshme.
Ndeshja e rradhës për United do të jetë ajo përballë Southampton në datë 14 shtator. Në një intervistë të pak ditëve më parë, drejtori i ri sportiv i klubit, Dan Ashworth, konfirmoi faktin se vendimi për vazhdimin e rrugës me Ten Hag ishte marrë përpara se ai të bëhej pjesë e strukturës së Manchester United. Gjithsesi, Ashworth u shpreh se është mjaft i lumtur me trajnerin hollandez:
“Erik ka mbështetjen tonë të plotë. Ne mendojmë se ai është trajneri i duhur për ne. Kemi punuar shumë afër së bashku në këtë merkato për ta ndihmuar atë të marrë rezultatet më të mira nga ekipi… Ajo që mund të përsëris është fakti se e kam shijuar shumë kohën që kam punuar me Erik gjatë 8 javëve të fundit. Puna ime është të suportoj atë në çdo mënyrë që mundem, qoftë kjo në mënyrë operacionale, me rekrutimin…”
Dan Ashworth gjithashtu komentoi largimin e Jadon Sancho drejt Chelsea. Drejtori sportiv i klubit u shpreh se United ka 4 lojtarë që luajnë në pozicionin e Sancho, dhe ish-sulmuesi i Dortmund ishte zgjedhja e pestë. Kjo i dha mundësinë United për të aprovuar lëvizjen e lojtarit. Ndërkohë mes të larguarëve të tjerë gjatë kësaj merkatoje janë dhe Scott McTominay dhe Aaron Wan-Bissaka.