Manchester United është përkrah Real Madridit dhe Paris Saint-Germain për transferimin e mundshëm të yllit të Atalanta, Ademola Lookman. Burime nga mediat angleze kanë bërë me dije se Manchester United po monitoron nga afër Lookman në këtë moment, teksa Atalanta gjithashtu kërkon të mbajë bisedime me lojtarin për një kontratë të re.
Djajtë e Kuq mund të jenë në gatishmëri për të lëvizur për Lookman në varësi të mënyrës se si zhvillohen gjërat, megjithëse burimet thonë se ende nuk ka pasur bisedime konkrete mes asnjërit klubi apo lojtarit. 27-vjeçari nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen e tij, por një lëvizje në janar konsiderohet e pamundur për momentin, dhe merkatoja e verës ka më shumë gjasa të sjellë një lëvizje të Lookman.
Lookman ka pasur disa eksperienca me klubet e Premier League më parë, dhe lojtari mund të tundohet të bashkohet me një klub si United dhe të tregojë se çfarë mund të bëjë në futbollin anglez pas rritjes së tij të shpejtë në Atalanta. Përfaqësuesi i kombëtares së Nigerisë ka pasur më parë disa eksperienca zhgënjyese me Everton, Fulham dhe Leicester City, por ai e ka çuar qartë lojën e tij në një nivel tjetër tani. Real Madrid dhe PSG do të ishin gjithashtu opsione mjaft joshëse për Lookman, por United me siguri mund t’i garantojë atij një rol kyç dhe një shans për të provuar se është tashmë gati për nivelin e Premier League.
Lookman mund të jetë një përmirësim i rëndësishëm për United, por kartoni i lojtarit nuk do të jetë i lirë. Vlera e kartonit të tij mendohet të jetë në vlerën e 60-70 milionë euro. Burimet kanë treguar se United do ta shohë këtë si një çmim të drejtë për të paguar për lojtarin në këtë merkato, por objektiva të tjera në atë zonë të fushës do të merren parasysh në muajt në vijim.