Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, duket se po përballet me një betejë për të mbajtur titullin e trajnerit në Old Trafford. Pas humbjes 3-0 në shtëpi ndaj Tottenham, zërat për largimin e hollandezit janë bërë gjithnjë e më të larta, dhe duket se bordi drejtues i United është duke konsideruar alternativa të tjera për postin e trajnerit tek “Djajtë e Kuq”. Një prej tyre është trajneri i Inter Milan, Simone Inzaghi.
Italiani mori drejtimin e Milan në vitin 2021, dhe që prej atij momenti ka arritur të fitojë 5 trofe me zikaltërit, përfshirë këtu Serie A sezonin që lamë pas. Inter ishte gjithashtu shumë pranë fitimit të Champions League, përpara se ekipi të mposhtej nga Manchester City në finalen e vitit 2023.
Ndërkohë, Manchester United do të përballet me Porto në Europa League, përpara një transferte të vështirë ndaj Aston Villa në Premier League. Trajneri Ten Hag duhet të marrë më të mirën e ekipit të tij në këto 2 ndeshje, teksa Sir Jim Ratcliffe pritet të vendosë mbi të ardhmen e hollandezit në pauzën e ndeshjeve të kombëtareve. Kujtojmë se “Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e 12 në Premier League, vetëm 4 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.
Gjithsesi, shkarkimi i Ten Hag nuk do të jetë i lehtë. Trajneri frimosi një rinovim kontrate këtë verë, dhe Jim Ratcliffe do të konsultohet me anëtarët e tjerë të bordit, përpara marrjes së një vendimi final. Përveç Inzaghi, një tjetër alternativë është dhe Gareth Southgate. Ish-trajneri i kombëtares angleze ka shumë admirues në strukturën drejtuese të klubit, si dhe ka një raport të ngushtë me drejtorin sportiv, Dan Ashworth. Mbetet të shohim nëse Ten Hag do të vazhdojë të jetë në krye të pankinës tek Old Trafford, apo një kapitull i ri do të startojë për Manchester United.