Arsenal është duke peshuar mundësinë e një oferte për Raheem Sterling, në ditën e fundit të merkatos verore. Sterling, i cili është pjesë e Chelsea ka patur një komunikim me trajnerin e ri të bluve, Enzo Maresca. Ky i fundit i ka bërë me dije sulmuesit se ai nuk do të ketë më hapësira në ekipin e parë, dhe anglezi është i prirur të largohet nga Stamford Bridge.
Mikel Arteta është në kërkim të një lojtari eksploziv në sulm, i cili do t’i ofrojë “topçinjëve” më shumë opsione në repartin ofensiv. Objektivi primar i Arsenal ishte Nico Williams. Megjithatë, ky i fundit do të qëndrojë tek Athletic Bilbao edhe këtë vit, ndërkohë që në planin afatgjatë, spanjolli kërkon të luajë tek Barcelona. Kjo ka lënë Arsenal me pak opsione në tavolinë dhe Sterling është një prej tyre.
Trajneri Arteta kërkon të balancojë më mirë krahët e sulmit, teksa për momentin, gati e gjithë pesha e krijimit të shanceve të rrezikshme nga krahët varet nga Bukayo Saka. Arteta kërkon të heqë disi peshën nga krahët e anglezit, duke marrë parasysh dhe axhendën e ngjeshur të ndeshjeve në Premier League dhe Europë.
Problemi kryesor për arritjen e një marrëveshjeje mes Chelsea dhe Arsenal për Sterling janë pagat e lojtarit. Për momentin, anglezi përfiton rreth 325 mijë paundë në javë në Stamford Bridge, një shifër mjaft e lartë. Arsenal nga ana tjetër nuk mund të prishë strukturën e vet të pagave, dhe kjo do të thotë se Sterling pritet t’i ofrohen rreth 150 mijë paundë në javë.
Arsenal është gjithashtu duke monitoruar Kingsley Coman, në rast se operacioni Sterling nuk realizohet. Francezi i Bayern Munich mund të largohet në ditën e fundit të merkatos, teksa Bayern kërkon të përmirësojë situatën e vet financiare.