Mediat angleze kanë raportuar së fundmi se drejtuesit e Chelsea janë hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e asit të Brentford, Ivan Toney. Chelsea është në kërkim të një numri 9 elitar, dhe alternativat e vetme për momentin janë bomberi i Napoli, Victor Osimhen, dhe Ivan Toney. Ky i fundit është lënë jashtë skuadrës së tij në 2 takimet e fundit përballë Crystal Palace dhe Liverpool, dhe duket se është pranë largimit.
Toney është kthyer në një objektiv për blutë e Londrës për shkak të rekordit të tij të provuar tashmë në Premier League. Një tjetër avantazh i anglezit, përtej aftësive të tij është dhe fakti se sulmuesi ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur me Brentford. Kjo do të thotë se klubi është i prirur të shesë lojtarin, për të mos e humbur më vonë me kosto zero. Gjithashtu, paga e lojtarit është relativisht e ulët në krahasim me lojtarët e të njejtit nivel.
Gjithsesi, mësohet se Toney ka një ofertë financiare mjaft të kënaqshme nga Arabia Saudite, dhe Chelsea nuk do ta ketë të lehtë të bindë 28 vjeçarin. Londinezët do ta kenë të vështirë të garojnë me propozimin financiar të Al Ahli, por blutë mund t’i ofrojnë Toney mundësinë për të qëndruar në kampionatin më elitar, dhe për të luajtur futboll në nivelin më të lartë. Gjithashtu, lojtari nuk ka përse të shpërngulet nga Londra nëse zgjedh Chelsea dhe mund të luajë në Champions League në të ardhmen, në rast se Chelsea renditet në një nga 4 vendet e para në Premier League.
Trajneri i Brentford, Thomas Frank, nuk ka dhënë shumë detaje mbi të ardhmen e Toney në konferencën e fundit për mediat. Kjo ka lënë dhe një herë tjetër të kuptohet se anglezi është më afër largimit, sesa qëndrimit dhe për 1 sezon tjetër tek Brentford.