Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka konfirmuar se sulmuesi Diogo Jota do të mungojë në ndeshjen e Premier League ndaj Arsenal këtë të dielë. Jota pësoi një lëndim në gjoks gjatë fitores ndaj Chelsea javën e kaluar, kur mbrojtësi Tosin Adarabioyo u rrëzua mbi të gjatë një dyluftimi.
Internacionali portugez do të humbasë gjithashtu ndeshjen e Liverpool në UEFA Champions League ndaj RB Leipzig të mërkurën dhe do të jetë jashtë fushës në transfertën ndaj Gunners, së bashku me italianin Federico Chiesa. Pjesëmarrja e mbrojtësit të djathtë Conor Bradley gjithashtu është e pasigurt. Trajneri Slot u shpreh:
“Ata ndihen mirë, por nuk do të jenë gati për të luajtur këtë fundjavë. Federico mund të stërvitet me ne sot ose nesër, por Diogo sigurisht është jashtë. Do të shohim nëse Conor Bradley mund të bashkohet me ne nesër.”
Portieri Alisson Becker mbetet i lënduar për shkak të një dëmtimi në muskujt e këmbës, të pësuar në fitoren ndaj Crystal Palace më 5 Tetor. Pritet që ai të jetë jashtë fushave deri në pushimin tjetër ndërkombëtar në mes të nëntorit. Slot gjithashtu komentoi situatën e Alisson:
“Ai po përparon mirë, siç e prisnim, por ky nuk është një rikuperim i shpejtë, kështu që është e vështirë të vlerësohet statusi i tij. Mënyra më e mirë për të vlerësuar një lëndim është në fund të procesit të rikuperimit, dhe ai nuk është atje akoma.”
Liverpool aktualisht është në krye të tabelës së Premier League, me një avantazh prej katër pikësh ndaj Arsenal në vendin e tretë, të cilin Slot e cilësoi se ka qenë “shumë përpara” Liverpool gjatë dy sezoneve të fundit. Tekniku hollandez tha se në këtë fazë të hershme, është e vështirë të përcaktohet kush do të jenë konkurruentët kryesorë për titull, por Arsenal do të jetë një prej tyre.