Pas lajmeve të publikuara para disa ditësh, tashmë është zyrtare: Everton është dënuar nga Premier League me heqjen e 10 pikëve, për shkak të thyerjes së rregullave financiare të kampionatit anglez. Everton është tashmë në vend të 19 në renditjen e përgjithshme, dhe kjo do të thotë se klubi është në rrezik për rënie nga kategoria.
Dënimi është më i rëndi në historinë e Premier League, dhe drejtuesit e Everton u shprehën të shokuar dhe të zhgënjyer. Everton gjithashtu u shpreh se do të apelojë vendimin. Por cila është arsyeja e dënimit? Sipas rregullores, klubet e Premier League mund të deklarojnë humbje deri në 105 milionë paundë për 3 vite. Pas hetimeve të kryera, u vu re se humbjet e Everton për sezonin 2021-2022 përrllogariteshin në 124.5 milionë paundë. Klubi u shpreh në një deklaratë zyrtare:
“…Ashpërsia dhe shkalla e dënimit e sanksionuar nga komisioni nuk është as e drejtë dhe as nuk reflekton provat e dorëzuara. Klubi gjithashtu do të monitorojë me interes të madh, vendimet që do të merren për raste të tjera, që kanë të bëjnë me shkeljen e rregullave të Premier League.”
Ndërkohë, komisioni i Premier League ka justifikuar shkallën e dënimit në bazë të disa arsyeve. Mes tyre, ishin shpenzimet tejet të mëdha nga ana e klubit, paaftësia për të shitur lojtarë, si dhe përfundimi i kampionatit në një pozicion më të ulët se ai i parashikuar.
Pas lajmit të publikuar për Everton, vëmendja është tashmë dhe tek Manchester City. “Qytetarët” kanë kryer rreth 100 shkelje nga viti 2009 deri në vitin 2018, sipas konkluzioneve të një hetimi të pavarur. Nëse Manchester City gjendet fajtor për këto shkelje, dënimi pritet të jetë akoma më i rëndë, duke marrë parasysh ndëshkimin e Everton.