Mediat angleze kanë raportuar se Xavi Hernandez është emri i fundit që ka dalë si një nga zëvëndësuesit e mundshëm të Erik ten Hag, në krye të pankinës së Manchester United. Tekniku hollandez është ende në rrezik për t’u shkarkuar, duke marrë parasysh startin e dobët të “Djajëve të Kuq” në Premier League, si dhe dështimet në Europë.
Në lidhje me Xavi, prestigjozja Daily Mail ka zbuluar se muajin që lamë pas, ish-trajneri i Barcelona, ka komunikuar të paktën 2 herë më përfaqësues të Manchester United. Ndërkohë javën e kaluar, një delegacion prej 4 personash me në krye drejtorin ekzekutiv të United, Omar Berrada fluturuan drejt Barcelonës.
Xavi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë më trajner në Spanjë, duke i hapur kështu rrugë një aventure diku tjetër, pse jo në Premier League. Për momentin, bordi drejtues i United vazhdon të mbështesë Ten Hag, dhe një lëvizje në merkaton e janarit ka pak gjasa të ndodhë. Megjithatë, në fund të sezonit United duhet të tregojë progres real nën drejtimin e hollandezit, ndryshe Ten Hag do të duhet të largohet.
Gjatë merkatos së verës, Thomas Tuchel dhe Gareth Southgate ishin gjithashtu në listën e zëvëndësuesëve potencialë të Erik ten Hag, por Tuchel sapo mori drejtimin e kombëtares angleze. Gareth Southgate nga ana tjetër bëri të ditur se nuk do të kthehet në rolin e trajnerit këtë vit. Kjo ka lënë drejtuesit e United me gjithnjë e më pak opsione në rastin e shkarkimit të Ten Hag.
Përveç Xavi, emra të tjerë në listë janë ish-trajneri i Borussia Dortmund, Edin Terzic, si dhe Ruben Amorim i Sporting Lisbon. Gjithsesi, Amorim është linkuar më së shumti me postin e trajnerit tek Manchester City, dhe portugezi shihet nga drejtuesit e klubit si pasuesi afatgjatë i Pep Guardiola tek “qytetarët”.