Mediat angleze kanë raportuar se Manchester United është shumë pranë afrimit të Noussair Mazraoui. Klubi anglez ka gjetur akordin me Bayern Munich dhe pritet të paguajë rreth 15-20 milionë paundë për kartonin e mbrojtësit. Megjithatë, “Djajtë e Kuq” duhet të heqin dorë fillimisht nga Aaron Wan-Bissaka, për të siguruar fondet e duhura për të financuar lëvizjen.
Filimisht, Mazraoui ishte linkuar me West Ham, por operacioni dështoi dhe marokeni është tashmë më afër një transferimi në Old Trafford. Wan-Bissaka ndërkohë mund të kthehet në planin B për West Ham, megjithëse drejtuesit e klubit duhet të gjejnë akordin financiar me United. Wan-Bissaka ka dhe 1 vit të mbetur në kontratën e tij. Lojtari u bë pjesë e United në vitin 2019, “Djajtë e Kuq” paguan 45 milionë paundë asokohe për të sjellë mbrojtësin në Old Trafford nga Crystal Palace.
Ndërkohë përsa i përket Mazraoui, ideja për transferimin e tij në Old Trafford ka ardhur më së shumti nga trajneri Ten Hag. Tekniku hollandez ka punuar me mbrojtësin në kohën kur marokeni luante për Ajax. Mazraoui ishte një ndihmë mjaft e madhe asokohe për Antony në krahun e djathtë, dhe Ten Hag shpreson që marokeni do të ndihmojë përsëri Antony, kësaj rradhe në Old Trafford.
Përveç krahut të djathtë të mbrojtes, trajneri Ten Hag është i shqetësuar dhe për krahun e majtë. Luke Shaw ka një rekord dëmtimesh në sezonet e fundit, ndërkohë që Tyrell Malacia gjithashtu humbi të gjithë sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi. Kjo shton nevojën e përforcimeve në prapavijë. Në të njejtën kohë, në miqësoren ndaj Arsenal, Rasmus Højlund dhe afrimi i ri, Leny Yoro, lanë fushën të dëmtuar. Dëmtimet nuk duken serioze, por drejtuesit e United janë duke punuar fort prapa skenave, për të shmangur situatën e sezonit të kaluar, ku trajneri Ten Hag pati në dispozicion opsione shumë të limituara, për shkak të dëmtimeve.