Trajneri i Romës, Jose Mourinho është shfaqur vërtet i lumtur dhe i ekzaltuar, pas fitores së ekipit të tij në kohën shtesë përballë Sassuolos. Kjo ishte ndeshja numër 1000 e portugezit si trajner, dhe festimi i çmendur duke vrapuar te tifozët ishte tregues i qartë i rëndësisë që kjo arritje kishte për “The Special One”.
Fitorja ishte akoma më speciale pasi erdhi në minutat shtesë të takimit, kur Stephan El Shaarawy i dhuroi 3 pikët skuadrës së tij. Pas takimit Mourinho u shpreh:
“Po vrapoja si një fëmijë. Në atë moment nuk isha 58 vjeç, por 10, 12 ose 14. Më pas i kërkova falje trajnerit të Sassuolo, Alessio Dionisi për festimin tim. Gjatë javës po gënjeja njerëzit duke u thënë se kjo nuk ishte një ndeshje speciale. Mbase po përpiqesha të bindja dhe veten time në të njejtën kohë. Por në të vërtetë ishte, kjo ndeshje kishte një kuptim të veçantë për mua. Jam i sigurt se do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës pasi ndeshja ime e 1000-të si trajner ishte pikërisht kjo.”
Portugezi gjithashtu shtoi:
“Nuk doja ta humbisja (takimin) dhe kisha shumë frikë pasi nuk doja që këtë moment ta kujtoja në këtë mënyrë. Prandaj nuk po u thoja të vërtetën as të tjerëve. Ishte vërtet një ndjenjë speciale. Mbase Zoti vendosi që e meritoja të mos kisha një kujtim negativ nga kjo ditë.”
Jose Mourinho ka shënuar një sërë suksesesh në karrierën e tij si menaxher, ku mund të përmendim 2 tituj të Champions League, 2 tituj në Premier League, 3 tituj në La Liga, 2 në Serie A e shumë të tjerë. Gjithsesi, pas eksperiencave jo të suksesshme me Tottenham dhe United, shumë persona e humbën besimin tek aftësitë e “The Special One”.
Por duket se portugezi është në rrugën e duhur me Romën, teksa italianët kanë fituar të pesta takimet e luajtura, nën drejtimin e Mourinho.