Ishte Kai Havertz që me golin e tij i dhuroi Chelsea-it, fitoren në finalen e Champions League përballë Manchester City, sezonin e kaluar. Këtë vit, blutë e Londrës duken akoma dhe më të forte, teksa kanë afruar në ekip emra si Romelu Lukaku, apo Saul Niguez. Duke thënë këtë, lind natyrshëm pyetja: A mundet Chelsea të triumfojë përsëri në Champions League?
Ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel ndodhet në grupin H, së bashku me Juventus, Zenit St Petersburg dhe Malmo. Anglezët kanë një propabilitet prej 92% për të kaluar fazën në grupe, sipas ekspertit të statistikës, Nielsen Gracenote. Kjo nuk është një surprizë, teksa dilemat e vërteta për ekipet “big” fillojnë të shfaqen pas fazës në grupe. Real Madrid është i vetmi ekip që kuotohet më lart se Chelsea për kalimin në fazën me eleminim direkt. Madrilenët qëndrojnë vetëm 1% më lart se londinezët.
Gjithsesi, Chelsea është ekipi anglez më i kuotuar për t’i shkuar deri në fund kompeticionit. Një ndër arsyet është dhe fakti se ekipet e tjera angleze gjenden në grupe relativisht më të vështira se të besuarit e Tuchel. Manchester City i Pep Guardiolës do të përballet në grup me gjigandët e PSG, ndërsa 2 kundërshtarët e tjerë, Leipzig dhe Bruges, gjithashtu nuk janë për t’u nënvlerësuar.
Ndërkohë, akoma më e vështirë duket detyra për Liverpool. “The Reds” luajnë në grupin B së bashku me Atletico Madrid, Porto dhe AC Milan. Kampionët e vitit 2019 mbështeten pak a shumë tek e njejta skuadër që u solli suksesin 2 vite më parë, por rrethanat duken më të vështira kësaj rradhe. Ndërkohë shorti është treguar i lehtë me Manchester United, që do të përballet me Young Boys, Villarreal dhe Atalantën. Megjithatë, arritja e finales do të ishte një hap i madh për United, që pavarësisht afrimit të Ronaldos, nuk ka regjistruar parqitje të nivelit të lartë në Champions League, përgjatë sezoneve të fundit.