Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, ka bërë me dije se Harry Kane nuk ishte asnjëherë objektiv serioz i bluve gjatë merkatos së verës. Londinezët nënshkruan me Romelu Lukakun, për një shifër rekord për klubin, plot 97.5 milionë paundë. Gjithsesi, trajneri gjerman duket se ka reflektuar mbi merkaton, dhe ka bërë publike disa informacione të panjohura:
“Ne asnjëherë nuk e kishim një listë me emrin e tij (Kane). Emri i tij nuk shkoi në asnjë moment në tavolinën e Marina Granovskaia (drejtore e Chelsea) për t’i kërkuar asaj blerejne lojtarit. Nuk ishte asnjëherë aq afër sa të diskutonim me Tottenham.”
Tuchel ishte i bindur për një kohë të gjatë se kapiteni i kombëtares angleze do t’i bashkohej Manchester City-t të Guardiolës. Pavarësisht kësaj, numri 1 i pankinës së Chelsea dhe se nuk do të kishte asnjëherë frikë nga ekipi i Pep:
“Jo, nuk isha i frikësuar. Por nëse do të ndodhte do të isha i interesuar për të parë se si do të ndryshonte stili i lojës së City. Ne nuk frikësohemi prej askujt. Jemi në gjendje të përballemi me çdo skuadër. Manchester City, Man United dhe Liverpool janë skuadra të forta si asnjë tjetër në kampionat. Këta janë kundërshtarët me të cilët ne garojmë, dhe është normale që luftojnë gjatë gjithë kohës për lojtarët më të mirë.”
Në fund, Tuchel u shpreh i lumtur për faktin që Kane vendosi të qëndrojë te Tottenham. Sipas gjermanit, në këtë moment, lojtari personifikohet me vet klubin:
“Për mua Harry Kane është Tottenham dhe e anasjellta. Kur mendoj për Tottenham në dekadën e fundit, mendja më shkon te Kane dhe kjo është fantastike. Në qoftë se mendon për Leo Messin, direkt të shkon mendja te Barcelona, dhe është e vështirë ta shohësh me një fanellë tjetër, ky është rasti dhe me Kane. Një pjesë e personalitetit tim mbetet një fans i thjeshtë futbolli, prandaj mu bë qejfi që ai (Kane) nuk u largua.”