Trajneri portugez i Tottenham, Nuno Espirito Santo, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar pas 3 humbjeve rresht të ekipit të tij në Premier League. Spursat mbanin vendin e parë në kampionat pas javës së tretë. Gjithsesi, kjo gjë ndryshoi pas humbjeve ndaj Crystal Palace, Chelsea dhe Arsenal, dhe tani, londinezët ndodhen në vendin e 11 në renditjen e përgjithshme të Premier League.
Pavarësisht kësaj, Nuno ka insistuar se lojtarët ende besojnë te projekti i tij, pavarësisht se Tottenham ka shënuar vetëm 1 gol përgjatë 3 disfatave të fundit:
“Të qëndrojmë së bashku është e vetmja mënyrë Nuk mund të na kapë paniku, pasi ne e dimë, ky është futbolli. Ka shumë rëndësi se si reagon ndaj momenteve të vështira. Është diçka që nuk mund ta shmangësh. Në qoftë se hedh sytë nga historia, çdo skuadër e ka kaluar një moment të tillë. Sa më shpejt ta lëmë pas, aq më mirë është për ne.”
Më herët këtë javë, grupimi zyrtar i tifozëve të Tottenham kërkoi një takim me anëtarë të bordit të klubit. Objekt i diskutimit ishin problematikat e ndryshme brenda dhe jashtë fushës. Skuadra ka shënuar gjithsej vetëm 4 gola në 6 takime në kampionat, por Nuno ka thënë se nuk i trembet opinioneve:
“Unë jam i shqetësuar vetëm për mënyrën sesi mund të luajmë më mirë. Gjykimet, kritikat dhe opinionet janë të gjitha pjesë e futbollit dhe duhet t’i pranojmë. Kjo nuk ndikon në punën tonë. Po mundohem t’ju them se fokusi im është se si të përmirësohemi në lojën tonë.”
Ish-trajneri i Wolves gjithashtu tha se ky nuk është momenti që klubi të kërkojë suportin e fansave. Sipas tij, fillimisht është ekipi ai që duhet t’u ofrojë tifozëve, diçka për t’i bërë të ndihen mirë. Më pas, suporti i fansave vjen në mënyrë të natyrshme.