Ronald Koeman është shkarkuar nga detyra si trajner i Barcelonës, pas 14 muajsh në krye të katalanasve. Barcelona ka grumbulluar vetëm 15 pikë nga 10 ndeshje në La Liga, dhe për më shumë, ka humbur 2 takime në fazën në grupe të Champions League. Humbja përballë Rayo Vallecano ishte një shkak më shumë për t’i mbushur mendjen presidentit Laporta, se Koeman nuk është njeriu i duhur për të rikthyer Barcelonën tek sukseset.
Ndërkohë fansat e klubit spanjoll kanë një arsye për të festuar, pasi legjenda e skuadrës, mesfushori Xavi Hernández, ka pranuar një ofertë për të qënë trajneri i ri i Barcelonës. Marrëveshja pritet të konfirmohet pas prishjes së kontratës që Xavi ka me klubin nga Katari, Al Sadd.
Xavi ka aplikuar “tiki-takën” e famshme të Barcelonës, në lojën e ekipit të tij, dhe kjo gjë ka sjellë shumë sukses për klubin. Por ish-lojtari ishte treguar skeptik më përpara, kur bëhej fjalë për marrjen e drejtimit të Barcelonës. Raportimet vendase thonë se spanjolli është tashmë gati për të marrë detyrën, pasi Laporta i ka siguruar një plan afatgjatë, dhe lirinë për t’i bërë gjërat në mënyrën e tij.
Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare mbi shkarkimin e Koeman, klubi spanjoll bëri me dije:
“Presidenti i ekipit, Joan Laporta, informoi atë (Koeman) mbi vendimin, pas humbjes ndaj Rayo Vallecano. Ronald Koeman do t’i thotë lamtumirë skuadrës së shpejti.”
Ish-trajneri i kombëtares hollandeze, Everton, dhe Southampton nuk mund ta çonte Barcelonën më shumë se vendi i tretë në kampionat sezonin e kaluar. Largimi i Leo Messit dhe situata e vështirë financiare nuk e ndihmuan aspak teknikun, por gjithsesi, prej tij pritej shumë më shumë në krye të Barcelonës.
Prezantimi i Xavi si trajneri i ri i klubit, pritet të bëhet pas ndeshjes ndaj Alaves në shtëpi.