Sipas raportimeve më të fundit të Express në Angli, Ferran Torres i Manchester City, i ka komunikuar klubit dëshirën e tij për t’u larguar. Sulmuesi i “qytetarëve” dëshiron një transferim në Spanjë, tek Barcelona. Torres e nisi në mënyrë të shkëlqyer sezonin në Premier League, por një dëmtim i rëndë bëri që spanjolli të humbasë vendin e titullarit në ekip. Për fat të keq, Torres pritet të jetë jashtë fushave të blerta dhe për muajt në vijim.
Por kjo gjë nuk pengon planet e tij për transferim. Bazuar në paraqitjet e fundit të City, duket se trajneri Guardiola ka gjetur skemën e duhur për të zëvëndësuar mungesën e Torres në fushë. Phil Foden dhe Kevin de Bruyne janë aktivizuar në pozicionin e spanjollit, dhe kjo zgjidhje ka rezultuar mjaft efektive. Gjithashtu, ylli 19-vjeçar i akademisë Cole Palmer, luajti në të njejtin pozicion gjatë fitores 3-0 që Manchester City arriti javën e kaluar kundër Everton.
Kjo do të thotë se në momentin që Ferran Torres do të jetë përsëri i gatshëm për t’u aktivizuar, integrimi i tij në formacionin bazë do të jetë i vështirë, për shkak dhe të konkurrencës. Sipas MundoDeportivo, ish-lojtari i Valencias i ka komunikuar trajnerit Guardiola, dëshirën për t’u transferuar tek Barcelona, dhe tekniku i City ka rënë dakord.
Kjo gjë mund të ndikojë planet e vet Barcelonës, por dhe të Arsenal, në merkaton e verës. Kjo pasi të dyja këto skuadra kanë shfaqur interesin e tyre për lojtarë të tjerë të ekipit të Guardiolës, mes tyre dhe Bernardo Silva apo Raheem Sterling. Në rast se Ferran Torres largohet me sukses gjatë merkatos së janarit, City ka shumë pak gjasa që të heqë dorë nga lojtarë të tjerë të ekipit të vet, duke qënë se kjo gjë do të sillte shumë hapësira bosh në formacionin e anglezëve.