Superstari i Bayern Munich, Robert Lewandowski, ka pranuar se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe është i hapur për të gjitha mundësitë. 33 vjeçari është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe ka vendosur vazhdimisht rekorde të reja, që prej vitit 2019. Gjatë këtij sezoni, polaku ka shënuar plot 39 gola në vetëm 33 takime.
Por sulmuesi është tashmë në dilemë në lidhje me të ardhmen e tij. Lewandowski ka vetëm 1 vit të mbetur në kontratën e tij aktuale me bavarezët, dhe në këtë moment të karrierës mund të marrë përsipër një sfidë të re. Këtë gjë ai e konfirmoi dhe në intervistën e fundit për Sky Sport Deutschland.
Bomberi i Bayern Munich tha:
“Jam i qetë dhe i hapur për gjithçka. Për mua është e rëndësishme të fokusohem tek loja dhe ajo që mund të ndodhë në çdo ndeshje. Të gjitha gjërat e tjera që duhen bërë në lidhje me kontratat janë një çështje sekondare që mbetet në plan të dytë.”
Lewandowski ka luajtur në Gjermani që prej vitit 2010, kur u shkëput nga Polonia në moshën 21 vjeçare. Ai fillimisht u aktivizua me Borussia Dortmund, ku spikati me paraqitjet e tij fantastike në Bundesliga dhe Champions League. Pas 4 sezonesh në vitin 2014, sulmuesi iu bashkua Bayern Munich, ku ka fituar deri më tani praktikisht gjithçka.
Kjo, por dhe mosha e futbollistit janë faktorë që mund të bindin polakun të nisë një aventurë të re sezonin e ardhshëm. Për më shumë, bomberit të Bayern nuk i mungojnë opsionet në rast se dëshiron të transferohet diku tjetër. Anglia është destinacioni i parë dhe mbase më tërheqës për sulmuesin, por Real Madrid gjithashtu ka shprehur interes për kartonin e lojtarit në të kaluarën.