Pavarësisht rinovimit me PSG dhe për 3 vite të tjera, Kylian Mbappe ka deklaruar së fundmi se ëndrra për të luajtur me Real Madrid ende nuk ka marrë fund. Sulmuesi francez refuzoi një lëvizje drejt Santiago Bernabeu javën e kaluar, por përballë gazetarit sportiv Guillem Balague ai nuk përjashtoi një lëvizje në të ardhmen. Superstari francez tha:
“Asnjëherë si dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Nuk mund të mendoj më për këtë, unë mendoj vetëm për të tashmen, dhe e tashmja është kontrata e re për 3 vite të tjera me PSG.”
I pyetur nëse ëndrra e Real Madrid ka marrë tashmë fund Mbappe u përgjigj shkurt:
“Jo, asnjëherë.”
Mbappe i cili shihet si një nga futbollistët më të mirë në botë, bëri me dije se përpara se të rinovonte me PSG, telefonoi presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, për t’i bërë të ditur vendimin e tij. Lojtari shtoi:
“Javën e kaluar mora vendimin që të qëndroj. Fillimisht fola me presidentin e Real Madrid pasi kam shumë respekt për të dhe për klubin. Mendoj se ishte e drejtë t’ia komunikoja këtë gjë personalisht. Për të qënë një lojtar i madh duhet të tregohesh i ndershëm, por gjithçka shkoi okay pasi kemi një marrëdhenie të mirë së bashku.”
Mbappe këtë sezon shënoi plot 28 gola duke kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek një tjetër titull kampion për PSG. Spekullimet mbi të ardhmen e kanë shoqëruar vazhdimisht talentin e parizienëve, por Kylian ka përsëritur dhe një herë tjetër se nuk shpërqëndrohet prej tyre:
“Jam 100% i fokusuar në lojën time. Nuk kisha pse të dëgjoja spekullimet. Gjatë sezonit isha 100% i fokusuar sepse kisha objektiva individuale dhe kolektive. Ishte e rëndësishme të shikoja lojën në këtë mënyrë dhe të bëja të ditur vendimin tim në fund të sezonit.”