Sipas prestigjozes, talkSPORT, Chelsea është ekipi favorit për të arritur një marrëveshje me sulmuesin francez të Barcelonës, Ousmane Dembele. Kjo do të ishte transferta e parë në epokën e pronarit të ri të klubit, Todd Boehly. Kontrata aktuale e Dembele me Barcelonën skadon në fund të qershorit, që do të thotë se futbollisti mund të bëhet pjesë e bluve të Londrës me kosto zero.
Dembele iu bashkua Barcelonës në vitin 2017, për rreth 100 milionë paundë nga gjermanët e Borussia Dortmund. Sulmuesi ka zhvilluar 150 paraqitje me katalanasit në 5 sezone me klubin. Megjithatë, aventura e tij me Barcelonën është karakterizuar përgjithësisht nga zhgënjimi dhe potenciali i çuar dëm, për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme. Në këtë pikë një kontratë e re duket se nuk është dëshirë as e Barcelonës dhe as e vet lojtarit. Për këtë arsye Dembele po merr në konsideratë opsionet që ka në tavolinë.
Chelsea është destinacioni perfekt për Dembele për disa arsye. E para është trajneri Tuchel. Gjermani ka trajnuar Dembele gjatë kohës që ai aktivizohej me Borussia Dortmund, dhe dihet publikisht se dyshja ka një raport mjaft të mirë me njëri-tjetrin. Tuchel ka konsideratë të lartë për lojtarin, i cili në sezonin e tij të vetëm për Dortmund shënoi regjistroi 10 gola dhe 21 asiste në 49 ndeshje.
Tekniku gjerman ka komentuar kohë më parë mbi francezin:
“Ousmane është një lojtar që kombinon në mënyrë brilante driblimin, pasimin dhe krijimin e hapësirave në një nivel mjaft të lartë. Kjo është e jashtëzakonshme.”
Sezoni që lamë pas vuri qartë në dukje problemet e Chelsea me finalizimin. Londinezët kanë vuajtur vazhdimisht mungesën e golave, teksa as Romelu Lukaku, dhe as Kai Havertz nuk ia kanë dalë të kënaqin pritshmëritë e Tuchel dhe të fansave. Duke thënë këtë, rruga është e hapur që Dembele të provojë veten dhe aftësitë e tij në Stamford Bridge.