Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, ka në mendje një plan mjaft të qartë për sulmin e bluve në sezonin e ardhshëm. Tekniku gjerman kërkon të largojë Romelu Lukakun, dhe të sjellë në Stamford Bridge, yllin e Bayern Munich, Robert Lewandowski. Ky është lajmi i bujshëm që ka publikuar prestigjozja ESPN, gjithsesi, transferimi nuk është një operacion i thjeshtë.
Lukaku është i prirur të largohet nga londinezët, pas një sezoni mjaft të dobët në Premier League. Sulmuesi belg kërkon rikthimin në Itali tek Inter, dhe këta të fundit janë të gatshëm të mirëpresin përsëri lojtarin në San Siro. Por aspekti financiar i lëvizjes është i komplikuar. Kjo pasi Chelsea kërkon të rikuperojë sa më shumë nga 115 milionë eurot që shpenzuan për kartonin e Lukaku vitin e kaluar. Inter ndërkohë është i interesuar për një marrëveshje në formë huazimi.
Megjithëse bisedimet mes Chelsea dhe Inter janë ende duke u zhvilluar, është e paqartë nëse marrëveshja potenciale do të përfshijë opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit të Lukaku, nga ana e Inter. Gjithashtu, paga prej 300,000 paundësh në javë që belgu merr momentalisht në Londër është një tjetër pikë delikate që mund të prishë punë.
Ndërkohë në lidhje me interesimin për Robert Lewandowski, trajneri Tuchel ka qënë gjithmonë një adhurues i bomberit polak. Vet sulmuesi ka konfirmuar dëshirën e tij për t’u larguar nga Bayern, dhe mendon se mund të shkëlqejë në Premier League. 34 vjeçari është linkuar shumë në javët e fundit për një transferim drejt Barcelonës për shifrën e 40 milionë eurove. Por, pamundësia e spanjollëve për të gjetur fondet duket se ka ndalur operacionin. Në këtë situatë, Tuchel i ka komunikuar drejtuesëve të Chelsea konfirmimin për t’u futur në garë për shërbimet e Lewandowski. Megjithatë, suksesi në këtë objektiv do të varet shumë fillimisht nga largimi i Lukaku, si dhe nga vendosmëria e Barcelonës për të sjellë sulmuesin e Bayern në Camp Nou.