Mediat në Spanjë kanë publikuar disa raportime mjaft të bujshme së fundmi, sipas të cilave Cristiano Ronaldo është pranë transferimit drejt Atletico Madrid. Sipas burimeve jo-zyrtare, portugezi ia ka dalë të bindë trajnerin Diego Simeone për të firmosur me madrilenët. 37 vjeçari e ka bërë të qartë tashmë dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester United, duke qënë se kërkon të luajë në Champions League këtë sezon të ri.
Fillimisht ishte Bayern Munich që u përfol si një nga destinacionet e mundshme të yllit portugez. Por gjermanët e hodhën poshtë këtë ide duke thënë se CR7 nuk përshtatet me modelin e lojës dhe planet e tyre për të ardhmen. Por ky nuk është mendimi i Atletico Madrid, të paktën sipas prestigjozes spanjolle Diario AS.
Përfaqësuesit e superstarit portugez kanë mbajtur bisedime me Diego Simeone dhe gjithçka ka shkuar mjaft pozitivisht. Nëse lëvizja realizohet ky do të jetë padyshim një lajm bombastik, duke marrë parasysh karrierën e Ronaldo tek Real Madrid, dhe rivalitetin e përbetuar të këtyre të fundit me Atletico. CR7 shënoi plot 450 gola gjatë aventurës së tij në Santiago Bernabeu. Gjatë këtyre viteve, Atletico Madrid ishte “preja” e preferuar e sulmuesit të United, i cili mposhti ekipin e Simeone dhe në 2 finale të Champions League. Kjo është arsyeja se përse një aventurë e re në Metropolitano Stadium duket gati e pabesueshme.
Përpara këtij lajmi, portalet sportive raportuan një tjetër thashethem ku sipas të cilit, Ronaldo do të rikthehej në klubin e tij të parë në Portugali, Sporting CP. Megjithatë ishte vet Cristiano i cili hodhi poshtë këto spekullime nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Kujtojmë se 5 herë fituesi i Topit të Artë ende nuk është rikthyer për ndeshjet para-sezonale me Manchester United, gjë që shton akoma më shumë dyshimet mbi të ardhmen e tij në pragun e këtij sezoni të ri.