Sipas raportimeve më të fundit të L’Equipe në Francë, Manchester United dhe Chelsea janë në garë për shërbimet e fituesit të Kupës së Botës, Benjamin Pavard. 26 vjeçari mbërriti fillimisht në Gjermani në vitin 2016, teksa u bë pjesë e Stuttgart nga francezët e Lille. Pas një paraqitjeje mbresëlënëse në Kupën e Botës, ai ia doli t’i bashkohej gjigandëve të Bayern Munich, 3 vite më vonë. Pavard triumfoi jo vetëm në Bundesliga, por dhe në Champions League. Megjithatë, duket se mbrojtësi është në kërkim të një aventure të re.
Lojtari ka ende 2 vite aktive në kontratën e tij me Bayern, por ai kërkon të luajë më shumë në rolin e tij natyral si qendër-mbrojtës. Në shumicën e ndeshjeve sezonin që lamë pas, francezi është aktivizuar në rolin e një “full-back”.
Sipas Christian Falk të Bild, momentalisht është United që ka avantazhin në garën për kartonin e Pavard. Kjo pasi Chelsea ende nuk është gati të bëjë një ofertë zyrtare, duke qënë se pritet të zyrtarizojë shumë shpejt afrimet e Jules Koundé dhe Presnel Kimpembe. Të dy këta të fundit aktivizohen në mbrojtje, dhe afrimi i Pavard në këtë situatë përbën një rrezik potencial për të prishur ekuilibrat në ekipin e Tuchel.
Megjithatë, përveç Anglisë, interesi për kartonin e francezit vjen dhe nga ana tjetër e kontinentit europian. Juventus në Itali dhe spanjollët e Atletico Madrid thuhet se po monitorojnë situatën, duke qënë se të dyja ekipet kanë nevojë për përforcime në mbrojtje.
Ndërkohë paralelisht, Atletico duket gjithnjë e më afër transferimit të bujshëm të Cristiano Ronaldo nga Manchester United. Djali i trajnerit Diego Simeone ka bërë “like” një tweet që shprehte se CR7 do të kthehet në Madrid, duke indikuar kështu se raportimet e fundit mund të jenë të vërteta.