Një video e shpërndarë në rrjetet sociale përpara disa muajsh duket se ka vendosur në telashe superstarin e Manchester United, Cristiano Ronaldo. Bëhet fjalë për një incident që ndodhi në 9 prill të këtij viti, në sfidën e “Djajëve të Kuq” ndaj Everton, në Premier League. United u mposht 1-0 dhe në përfundim të sfidës, Ronaldo hodhi në tokë telefonin e njërit prej tifozëve, teksa kthehej në dhomat e zhveshjes.
37 vjeçari kërkoi ndjesë në rrjetet sociale, por Shoqata e Futbollit në Angli (FA), ka reaguar së fundmi duke e cilësuar si të dhunshëm reagimin e sulmuesit. Në një deklaratë zyrtare, autoriteti u shpreh:
“Sjellja e sulmuesit pas përfundimit të takimit ishte e pahijshme dhe/ose e dhunshme.”
Ndërkohë, Manchester United u shpreh se do të mbështesë portugezin në përgjigjen e tij ndaj akuzës. Humbja ndaj Everton ishte një goditje e madhe për “Djajtë e Kuq” sezonin që lamë pas, teksa disfata i dha fund përfundimisht shpresave për një kualifikim në Champions League. Asokohe, Ronaldo reagoi për incidentin me një postim në Instagram. CR7 u shpreh:
“Nuk është asnjëherë e lehtë të përballesh me emocionet në momente të vështira, sidomos në këtë që ne po kalojmë. Pavarësisht kësaj, duhet që gjithmonë të tregojmë respekt, durim, dhe të vendosim standartin dhe shembullin për të gjithë të rinjtë që e duan lojën e bukur. Do doja të kërkoja falje për sjelljen time, dhe nëse është e mundur, do doja të ftoja tifozin në një ndeshje në Old Trafford, në shenjë fair-play.”
Por cilat janë pasojat e vendimit të FA?
Rasti i Ronaldos konsiderohet si jo-standart, dhe gjithçka do të varet nëse Ronaldo do të pranojë apo jo akuzën. Dënimi mund të variojë nga një paralajmërim, deri në pezullim për disa ndeshje.