Tifozëve nuk do t’u shitet alkool në 8 stadiumet ku do të zhvillohet botërori i Katarit. Ky është vendimi i fundit i FIFA, që ka rishikuar dhe një herë rregulloren e saj, vetëm 2 ditë para startit të kompeticionit. Më përpara ishte parashikuar që shitja e alkoolit të bëhej dhe brenda stadiumeve, përveç zonave të tjera të qytetit.
FIFA sqaroi në një deklaratë zyrtare:
“Pas diskutimeve mes vendit organizues dhe FIFA, është marrë vendimi që shitja e pijeve alkoolike të fokusohet në zonat festive të tifozëve dhe destinacione të tjera, duke hequr kështu pijet alkoolike stadiumet e Kupës së Botës 2022. Kjo nuk do të ketë asnjë impakt në shitjen e Bud Zero, e cila do të mbetet e disponueshme në të gjitha stadiumet e Qatar 2022. Vendi organizator dhe FIFA do të vazhdojnë të sigurohen për të krijuar një mjedis sa më argëtues dhe të këndshëm për të gjithë fansat.”
Budweiser është një nga sponsorat kryesorë të këtij botërori dhe ka të drejtat ekskluzive për të shitur birrë në Kupën e Botës. The Football Supporters’ Association (FSA) kritikoi vendimin e FIFA, duke thënë se problem qëndron tek ndryshimi i planit në minutat e fundit, duke vendosur ndalimin e shitjes së birrës. Në një deklaratë për mediat FSA komentoi lajmin zyrtar:
“Disa fansa pëlqejnë të pinë një birrë gjatë ndeshjes, dhe disa të tjerë jo, por problemi i vërtetë është kthesa 180 gradë e FIFA, e cila nxjerr në pah një problem më të madh. Mungesën e komunikimit dhe qartësisë së komitetit organizues ndaj tifozëve. Në qoftë se ata (FIFA) ndryshojnë mendjen në këtë mënyrë, fansat kanë të drejtë të jenë të shqetësuar për premtimet e tjera që janë bërë në lidhje me akomodimin, transportin dhe problemet me diferencat kulturore në Katar.”