Raphael Varane dhe Ibrahima Konate janë vetëm 2 nga lojtarët e kombëtares franceze që janë prekur nga një gjendje virale. Lajmi është bërë i ditur nga vet Federata Franceze e Futbollit, teksa lojtarët e sëmurë janë izoluar në dhomat e tyre dhe kanë humbur seancat stërvitore. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga mediat, që në gjysmëfinalen e francezëve përballë Marokut.
Në atë sfidë, mbrojtësi Dayot Upamecano dhe mesfushori Adrien Rabiot ishin të padisponueshëm për trajnerin Deschamps, pikërisht për të njejtën arsye. Sulmuesi Randal Kolo Muani ka dhënë më shumë detaje për situatën, në prag të finales së madhe të Kupës së Botës. Muani u shpreh:
“Ata që janë të sëmurë po rrinë në dhomat e tyre. Për ata po kujdesen doktorët dhe kemi vendosur distancimin social. Jemi shumë striktë për këtë gjë.”
Ousmane Dembele gjithashtu komentoi lajmin duke thënë se lojtarët nuk janë të frikësuar prej virusit, dhe se gjithçka do të jetë gati për finalen e madhe të së dielës. Ndërkohë trajneri Didier Deschamps u shpreh para 2 ditësh se Upamecano dhe Rabiot pritet të jenë të gatshëm për finalen. Megjithatë, dilema është ende aty në lidhje me Konate dhe Varane. Nëse këta të fundit nuk do të luajnë përballë Argjentinës, Deschamps do të zbresë në fushë pa 2 nga mbrojtësit e tij më të mirë.
Gjithsesi, në intervistën e tij të fundit, tekniku francez u shpreh i qetë mbi gjendjen e ekipit të tij:
“E dimë se në Doha po qarkullon një sëmundje së fundmi. Temperaturat kanë rënë disi, dhe kemi pasur disa raste me simptoma gripale. Po tregohemi të gjithë shumë të kujdesshëm që të mos shpërndahet.”
Ndërkohë mes të prekurve të tjerë mendohet të jetë dhe Kingsley Coman, duke qënë se dhe ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit stërvitore.