Drejtuesit e Chelsea ende besojnë tek aftësitë e trajnerit Potter, dhe nuk do të kërkojnë rezultate të menjëhershme nga ekipi këtë sezon. Ky është lajmi që mediat angleze kanë bërë të ditur, teksa presidenti Todd Boehly-Clearlake ka shpenzuar mbi 500 milionë paundë për lojtarë të rinj, që prej marrjës në pronësi të klubit londinez. Drejtuesit e Chelsea duan t’i japin kohën e duhur Potter që të krijojë një ekip fitues, tani që ka të gjitha resurset e duhura në dispozicion.
Transferimi i fundit i Enzo Fernandez për shifrën e 107 milionë paundëve nga Benfica ka ngritur dhe një herë pyetjet se cila do të jetë strategjia e Chelsea, për të respektuar rregullat e “Fair Play-it” financiar. Klubi ka vendosur të praktikojë një strategji inovative, teksa lojtarëve të rinj, më saktësisht Fernandez dhe ukrainasit Mykhailo Mudryk, u janë ofruar kontrata të vlefshme për 8 vite e gjysmë.
Në këtë mënyrë, Chelsea mund të shpërndajë koston financiare të blerjes së lojtarëve, përgjatë 8 viteve të kontratës. Megjithatë, UEFA është kundërpërgjigjur së fundmi duke ashpërsuar rregullat mbi transferimin e lojtarëve. Nga vera e ardhshme, organi qeverisës ka vendosur një rregull të ri, ku sipas të cilit, kostoja e kontratës për transferimet e reja mund të shpërndahet në një periudhë prej maksimumi 5 vitesh.
Chelsea ndodhet momentalisht në vendin e 10 në kampionat. Blutë e Londrës gjithashtu janë eleminuar nga 2 kompeticionet kryesore të kupës në Angli. Drejtuesit e klubit duan t’i ofrojnë Potter kohën e duhur në ndeshjet para-sezonale të sezonit të ardhshëm, për të eksperimentuar me blerjet e reja dhe për të krijuar formacionin e ri titullar të Chelsea.
Boehly-Clearlake preferon të presë deri në verë për të përcaktuar objektivat e reja, dhe për një arsye tjetër. Presidenti kërkon të largojë disa nga lojtarët e vjetër të ekipit, të cilët nuk do të kenë më hapësira në formacion. Merkatoja verore është mundësia perfekte për të përfituar maksimalisht në apsketin financiar, nga këto lëvizje.