Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka thënë se pavarësisht sesi mbyllet gara për titull kampion në Angli, ekipi i tij ka hedhur hapa të mëdhenj këtë sezon. Londinezët do të përballen me Nottingham Forest, që rrezikon rënien nga kategoria, dhe një humbje e Arsenal në këtë transfertë do t’i jepte automatikisht City titullin kampion. Ekipi i Artetës ndodhet 4 pikë larg “qytetarëve” dhe titulli kampion duket tashmë një objektiv gati i pamundur, por Arteta ka zgjedhur të përqëndrohet tek aspekti pozitiv i zhvillimit të Arsenal:
“Kemi ndërtuar një bazë të fortë. Ka shumë kualitet, ka shumë lojtarë të rinj dhe entuziasëm, dhe gjithashtu jemi të rrethuar me njerëz të mirë me eksperiencën e duhur dhe shumë lidership brenda tyre. Duhet të vazhdojmë të bëjmë të njejtën gjë pasi kërkesat, pritshmëritë dhe sfidat do të jenë akoma më të mëdha sezonin e ardhshëm.”
Kujtojmë se nga fillimi i kampionatit, deri në muajin shkurt, Arsenal pësoi vetëm një humbje në Premier League, duke krijuar një diferencë bindëse në krye të renditjes. Megjithatë, në pjesën e dytë të sezonit barazimet ndaj Liverpool, West Ham dhe Southampton bënë që City të merrte kreun e renditjes. Kur u pyet nga gazetarët nëse sezoni i Arsenal u mbyll në një mënyrë të dhimbshme, Arteta shtoi:
“Varet se cila është dhimbja. Kemi pasur shumë momente të mira ku kemi qënë të kënaqur me atë që kemi bërë. Dhimbja është pjesë e lojës, kur nuk fiton, kur nuk performon në nivelin e duhur, duhet të ndihesh i mërzitur. Duhet të jetë dhimbja e duhur në mënyrë që ta përdorësh atë për t’u përmirësuar dhe për të gjetur zgjidhje e përgjigje për të fituar më shumë.”
Arsenal do të luajë 2 ndeshjet e fundit të sezonit në Premier League ndaj Nottingham Forest dhe Chelsea.