Drejtuesit e Liverpool po bëhen gati për një tjetër seri ofertash për Mohamed Salah, nga klubet e Arabisë Saudite. Egjiptiani po i afrohet vitit të fundit të kontratës së tij aktive me “The Reds”, dhe klubet arabe do të hidhen në garë për kartonin e tij në merkaton e verës.
Verën e kaluar, Al Ittihad mendohet se ofroi plot 150 milionë paundë për shërbimet e Salah, por ky i fundit vendosi të qëndrojë tek Liverpool. Klubi pritet të provojë fatin përsëri në fund të këtij sezoni, ndërkohë që Al Hilal gjithashtu është i interesuar për Salah. Megjithatë, oferta financiare e klubeve arabe pritet të jetë shumë më e vogël kësaj rradhe. Kjo për faktin se Salah është më afër fundit të kontratës me Liverpool.
Al Hilal pritet të ofrojë rreth 70 milionë paundë këtë merkato, një shifër tunduese për drejtuesit e Liverpool. Salah pritet t’i ofrohet një kontratë 3 vjecare në Arabi, dhe sipas raportimeve paraprake, në rast se transferimi konkretizohet, sulmuesi do të kthehet në një nga lojtarët më të paguar të kampionatit arab. Salah mund të përfitojë rreth së njejtës shifër financiare që Neymar përfiton në Arabi, plot 138 milionë paundë në vit.
Përsa i përket dëshirës së lojtarit, duket se Salah nuk është i ngutur për t’u larguar nga Anfield dhe klubet arabe gjithashtu mund të presin dhe një vit. Megjithatë, situata mund të ndryshojë në varësi të trajnerit të ri që do të marrë drejtimin e pankinës së Liverpool sezonin e ardhshëm. Jurgen Klopp ka bërë të ditur se do të largohet në fund të sezonit, dhe tekniku i ri që do të zbarkojë në Anfield do të ketë peshën e vet në fatet e disa lojtarëve.
Mbetet të shohim se cili do të jetë fati i “faraonit” në fund të sezonit.