Ëndrra e Ryan Giggs për të drejtuar kombëtaren e Wales-it në një kompeticion madhor si Euro 2020 duket se është në rrezik serioz. Legjendës së Manchester United i është ndaluar momentalisht drejtimi i skuadrës për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës.
Arsyeja? E gjitha filloi pasi Giggs është ende në hetim për një sulm të aluduar ndaj të dashurës së tij, Kate Greville gjatë nëntorit të kaluar. Ish lojtari i “Djajve të Kuq” ka mohuar kategorikisht akuzat, por, fakti se ai u përjashtua nga drejtimi i skuadrës për ndeshjet kualifikuese të Botërorit nuk është një shenjë e mirë as për Europianin që po afron.
Shumë zëra thonë se është vetëm çështje kohe përpara se Giggs të largohet përfundimisht nga drejtimi i përfaqësueses. Në këtë rast, numri 1 i pankinës me shumë mundësi do të jetë Rob Page. Ish futbollisti është pjesë e stafit trajnues të Wales-it, por pesha e detyrës mund të rezultojë shumë e madhe për Page, të cilit i mungon eksperienca me ekipe madhore.
Ryan Giggs mori drejtimin e skuadrës në Janar të vitit 2018, dhe që prej asaj date është munduar të krijojë një grup solid dhe kompetitiv në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë kujtojmë se Wales nuk arriti të kualifikohej në Botërorin e vitit 2018. Por, kombëtarja uellsiane arriti të regjistronte një nga performancat e saj më të mira në histori në vitin 2016. Nën drejtimin e Chris Coleman ekipi arriti gjysmë-finalet e kompeticionit prestigjoz.
Përsa i përket Ryan Giggs, duket se legjenda uellsiane është në një garë me kohën. Kjo pasi e vetmja mundësi reale që Giggs të ruajë postin e tij është që të forcojë pozitat dhe imazhin e tij, deri në startimin e Euro 2020. Në qoftë se akuzat ndaj tij vërtetohen shanset që të shohim ish-futbollistin në krye të pankinës janë gati zero.