Danimarka do të mirëpresë të paktën 12.000 fansa në stadiumin që ndodhet në Copenhagen, gjatë zhvillimit të ndeshjeve të Euro 2020. Ministrja daneze i kulturës Joy Mogensen u shpreh për mediat vendase se arena Parken do të jetë e hapur minimalisht në 30% të kapacitetit të saj. Duke qenë se kapaciteti i stadiumit është 38.000 vende, të paktën 12.000 spektatorë do të kenë një vend të garantuar gjatë sfidave në verë.
Ministrja u shpreh se mund të lejohen edhe më shumë fansa në stadiume, nëse situata nga COVID në vend përmirësohet. Ky vendim u përshëndet dhe nga Federata e Futbollit në vend, e cila mesa duket do t’i bashkohet asaj angleze e cila po ashtu ka vendosur pro pranisë së fansave në stadiume. Qeveria daneze ka komentuar dhe më tej vendimin e saj, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm për të patur vërtet një “festë futbolli” gjatë muajve të verës.
Parken Stadium do të mirëpresë 4 sfida të Euro 2020, 3 prej të cilave janë ato të kombëtares daneze, dhe njëra do të jetë përballje e fazës së 1/16. Ndeshjet e konfirmuara janë këto:
- 12 Qershor 2021 – Grupi B: Danimarkë vs Finlandë (18:00, koha lokale)
- 17 Qershor 2021 – Grupi B: Danimarkë vs Belgjikë (18:00, koha lokale)
- 21 Qershor 2021 – Grupi B: Rusi vs Danimarkë (21:00, koha lokale)
- 28 Qershor 2021 – R16: 2D vs 2E (18:00, koha lokale)
UEFA ka vendosur si kusht për shtetet organizatore një pjesëmarrje minimale prej 25% në kapacitetin e stadiumeve. Autoriteti europian i futbollit ka treguar se është i gatshëm t’ua heqë të drejtën e organizimit të ndeshjeve, qyteteve të caktuara që nuk e përmbushin dot këtë kusht. E gjitha kjo po bëhet me qëllimin e vetëm që mos të ndryshohet formati i organizimit dhe fansat të përjetojnë sa më mirë të jetë e mundur atmosferën që arrin të krijojë vetëm Euro 2020.