Kampionët në fuqi Portugalia, kampionët e botës Franca, Gjermania dhe Hungaria, do të përballen me njëra-tjetrën, në ndeshje direkte të grupit F të Euro 2020. Konkurenca është e fortë, dhe megjithëse ekipet që kualifikohen në çerekfinale janë vetëm 2 të parët e grupit, ka dhe një mundësi tjetër. 4 ekipet më të mira të vendeve të treta, nga të gjitha grupet, do të kualifikohen po ashtu në fazën tjetër të kompeticionit. Gjithsesi, kjo nuk i ul aspak tensionet në atë që konsiderohet “grupi i ferrit” i këtij Europiani.
Portugalia, e cila është dhe kampionja në fuqi, ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinalet e kompeticionit në 4 nga 5 Europianet e fundit. Ylli i tyre Cristiano Ronaldo, ende zotëron një nivel të jashtëzakonshëm talenti dhe nuhatje për golin. I mbështetur nga talente të reja si Ruben Dias, Bruno Fernandes, Bernardo Silva, Diogo Jota dhe Joao Felix, kombëtarja portugeze duket se ka gjetur kombinimin perfekt midis të resë dhe të vjetrës. Thënë këto, portugezët kanë gjithçka që u duhet për t’i shkuar deri në fund Euro 2020.
Sipas të gjithë koeficientëve, Franca është favoritja kryesore për të ngritur lart trofeun e Europianit. Dhe këtë gjë e dinë dhe vet francezët. Me një sulm si asnjë ekip tjetër, të përbërë nga Kylian Mbappe, Karim Benzema dhe Antoine Griezmann, francezët kanë potencialin për të mposhtur çdo kundërshtar që u del përpara. Me një mesfushë gjithashtu të kompletuar, francezët nuk e vënë në diskutim kalimin e grupit.
Gjermania është 3 herë fituese e Europianit, dhe gjatë 3 kompeticioneve të fundit, ia ka dalë të shkojë të paktën deri në gjysmëfinale. Megjithatë, Botërori 2018 ishte një nga paraqitjet më të dobëta të ekipit të Joachim Löw, i cili u eleminua gjatë fazës në grupe. Që prej atij momenti nuk mund të thuhet se kanë ndryshuar shumë gjëra në organikën e gjermanëve. Megjithatë, askush nuk duhet të nënvlerësojë potencialin e grupit dhe disiplinën tek “Die Mannschaft”.
Për Hungarinë, mbyllja e grupit në çdo vend tjetër përveç atij të fundit do të ishte një surprizë e madhe. Skuadra e drejtuar nga italiani Marco Rossi do të vuajë fatin e të qënurit pjesë e “grupit të ferrit”. Lojtari i tyre më i mirë, mesfushori i Leipzig, Dominik Szoboszlai është i dëmtuar, dhe kjo vetëm sa i pret akoma më shumë shpresat hungarezëve.