Italia startoi Europianin 2020 me një fitore të pastër 3-0 përballë Turqisë, e cila me siguri, ka lumturuar pa masë të gjithë tifozat italianë. Ekipi i Roberto Mancinit mori padyshim një fitore të merituar, teksa dominuan në çdo aspekt takimin gjatë 90 minutave. Gjithsesi, Turqia e drejtuar nga Senol Gunes u tregua mjaft “kokëforte” duke ia vështirësuar gjërat italianëve, të cilët kaluan në avantazh, vetëm në minutën e 53’ me një autogol të Merih Demiral.
Pavarësisht fitores, vështirësia e italianëve për të zhbllokuar rezultatin më herët gjatë lojës, ishte diçka që u vu re gjatë gjithë pjesës së parë. Megjithatë mediat kanë përgëzuar trajnerin Mancini për strategjinë taktike të ndjekur, e cila i la shumë pak hapësira turqëve, për të eksploruar zonën kundërshtare dhe goditur portën. Numri 1 i pankinës së “azurëve” u shpreh pas takimit:
“Italia donte fitoren dhe ne fituam, është një kënaqësi e madhe për të gjithë. Shpresoj të ketë shumë mbrëmje si kjo e sotmja. Ka dhe 6 ndeshje për të arritur Wembly-n (finalen), dhe duhet të punojmë fort që ta bëjmë realitet këtë endërr. Patëm ndihmë nga tifozët dhe publiku, luajtëm mirë dhe jam shumë i kënaqur me maturinë e djemëve të mi në pjesën e parë.”
Mancini u përball gjithashtu me kritika nga fansat dhe analistët, për mosaktivizimin e Federico Chiesa si titullar në ekipin italian. Vendimi i guximshëm i trajnerit duket se nuk i ka kushtuar Italisë, dhe për fatin e tij të mirë, Chiesa pati shancin të lunate disa minuta si zëvëndësues gjatë takimit me Turqinë.
Tani, dilema që mbetet për t’u zbuluar, është strategjia që Mancini do të ndjekë kur të vihet përballë emrave big si Anglia, Gjermania apo Franca. Në ndryshim nga Turqia, ekipet e përmendura kanë një potencial shumë më të fortë në sulm. Për këtë arsye, sipas të gjitha gjasave, Italia nuk do të ketë të njejtin kontroll të fushës së blertë si përballë Turqisë. Gjithsesi, fitorja 3-0 është një “shuplakë” për të gjithë skeptikët që nuk e konsideronin ekipin e Mancinit, ndër pretendentët për titullin kampion të Europës.