Sulmuesi i Chelsea, Olivier Giroud, është zyrtarisht lojtar i Milan, pas transferimit te klubi italian për një shumë të papublikuar. Franzezi iu bashkua Chelsea në vitin 2018 nga klubi i Arsenal, dhe kaloi 3 sezone të suksesshme me blutë. Tani, 34 vjeçari do të nisë një aventurë të re në Itali, dhe Giroud duket mjaft optimist.
Në një postim në rrjetin social Twitter, sulmuesi u shpreh mirënjohës për të gjitha “kujtimet speciale” në Londër, dhe deklaroi se po nis një udhëtim të ri i lumtur. Francezi ndau me fansat:
“Fitoret tona në FA Cup, Europa League dhe Champions League kanë qenë të jashtëzakonshme. Një falenderim special i shkon të gjithë bluve (tifozëve), shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit për këto momente speciale”
Sezonin e kaluar, Giroud shënoi 11 gola në 31 paraqitje për kampionët e Europës në fuqi. Gjithsesi, sulmuesi u aktivizua vetëm në 8 ndeshje në Premier League. Kjo u lidh drejtpërdrejt me Kai Havertz dhe Timo Werner, dy lojtarët e rinj që Chelsea afroi verën e kaluar. Duke qenë se të dy gjermanët luajnë në pozicionin e Olivier Giroud, dihej se vetereani i kombëtares së “Gjelave” do të kishte minuta të kufizuara në fushë. Kjo mendohet të ketë qënë dhe arsyeja kryesore e largimit të futbollistit nga Chelsea.
Gjatë qëndrimit me londinezët, Giroud shënoi 39 gola në 119 paraqitje gjithsej, duke fituar Champions League, Europa League dhe FA Cup. Fituesi i Kupës së Botës, gjithashtu fitoi 3 trofe të tjerë të FA Cup me ekipin e Arsenal.
Gjithsesi, Giroud nuk ia doli që të kishte impaktin e duhur për Francën në Euro 2020, duke u eleminuar nga Zvicra në fazën e 1/16. Sulmuesi pritet të jetë një vlerë e shtuar për Milan, që synon përsëri titullin kampion. Sezonin e kaluar, kuqezinjtë përfunduan kampionatin 12 pikë prapa Interit, që triumfoi në Serie A.