Mbrojtësi i Juventus, Giorgio Chiellini, ka rinovuar me “Zonjën e Vjetër” dhe për dy vite të tjera, në një kontratë që do të mbajë italianin në Torino deri në verën e vitit 2023. Në plot 16 vite me Juventus, Chiellini ka fituar 14 trofe madhorë, duke përfshirë 9 tituj konsekutivë të Serie A, nga sezoni 2011-2012 deri në sezonin 2019-2020. Në një deklaratë zyrtare për shtyp, në lidhje me kontratën e re, klubi itialian u shpreh:
“Chiellini përbën një pjesë të madhe të historisë së Juve-s, gjithashtu dhe të tashmen dhe të ardhmen. Giorgio Chiellini përfaqëson idealet e Juventus, dhe nëpërmjet përkushtimit dhe ekselencës së tij prej 16 vitesh, ai ka fituar një kontratë të re.”
Kujtojmë se Chiellini ishte pjesë e Juventus dhe gjatë sezonit 2006-2007, një periudhë mjaft e vështirë për klubin. Mbrojtësi nuk braktisi skuadrën dhe qëndroi me “Zonjën e Vjetër”, pas rënies nga kategoria, për shkak të skandalit të “Calciopoli”.
Ndërkohë, lajme pozitive vijnë dhe për fansat e Liverpool. Mesfushori brazilian Fabinho ka firmosur një kontratë të re me “The Reds”, e cila do ta mbajë lojtarin në Anfield deri në vitin 2026. 27 vjeçari ka zhvilluar 122 paraqitje me Liverpool, dhe sezonin e kaluar u detyrua të lunate në mbrojtje, për shkak të krizës së dëmtimeve që kaloi ekipi i Klopp.
Trent Alexander-Arnold gjithashtu rinovoi me anglezët, dhe u shpreh mjaft i lumtur për kontratën e re. Mbrojtësi deklaroi:
“Kjo është ajo që doja, të qëndroj tek Liverpool, të luaj për këtë klub. Jam shumë i lumtur. 3 sezonet e fundit jam ndierë shumë i kënaqur këtu. Kam mësuar shumë me trajnerin, lojtarët dhe stafin. Kemi arritur shumë gjëra bashkë dhe mendoj se ky është vendi më i mirë për të qëndruar, për të mësuar dhe për t’u rritur.”