Londinezët e Arsenal kanë arritur marrëveshjen me Real Madrid për transferimin e Martin Odegaard. Talenti 22 vjeçar i kushtoi ekipit të Artetës 30 milionë paundë dhe pritet të luajë rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave të skuadrës. Ndërkohë portieri Aaron Ramsdale gjithashtu do të jetë pjesë e Arsenal, teksa ka kompletuar ekzaminimet mjekësore. Trajneri Arteta dha komentin e tij për afrimet e reja:
“Shumë gjëra që ai (Odegaard) solli sezonin e kaluar (gjatë huazimit) na bënë një skuadër më të mirë. Na duheshin më shumë alternativa dhe lojtarë kreativë. Ai është ende një lojtar i ri, por ka eksperiencë në klube të mëdha. Odegaard ka një talent unik që i përshtatet mënyrës sesi ne duam të luajmë, për këtë arsye, jam i lumtur që klubi e ndërmorri këtë hap.”
Numri 1 i pankinës së “topçinjëve” gjithashtu u shpreh mjaft i kënqaur për transferimin e Aaron Ramsdale:
“Aaron është një portier i ri shumë i talentuar. Ai ka eksperiencë me kombëtaren angleze dhe do të sjellë në skuadër konkurrencë. Dhe kjo është ajo që ne duam, konkurrencë të shëndetshme. Prandaj identifikuam Aaron si opsionin ideal për të arritur këtë gjë.”
Ndërkohë nga Franca, Mauricio Pochettino duket se ende nuk e ka vendosur momentin e shumëpritur të debutimit të Lionel Messi me PSG. Neymar dhe spanjolli Sergio Ramos gjithashtu kanë munguar në takimet e para të parizienëve në kampionat.
Pavarësisht kësaj, trajneri i francezëve deklaroi se Messi është përshtatur mirë me ekipin, dhe atmosfera e përgjithshme në skuadër është mjaft pozitive. Pochettino gjithashtu siguroi tifozët e tij se Mbappe nuk do të largohet këtë sezon drejt Real Madrid. Ai tha:
“Mbappe është lojtari ynë dhe e dua këtu këtë sezon. Ai ka ende një vit në kontratë. Edhe nëse nuk rinovon, ai mbetet lojtari ynë. Jemi shumë të kënaqur me të, dhe nga ajo që unë kuptoj, edhe ai është i kënaqur me ne.”