Rasmus Hojlund dhe Christian Eriksen nuk do të jenë pjesë e kombëtares daneze, në ndeshjet e ardhshme të vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian. Arsyeja për të dy lojtarët është dëmtimi. Në fitoren 1-0 të United ndaj Luton Town, mesfushori Eriksen u detyrua të linte fushën e blertë pas 40 minutave lojë, ndërkohë që Hojlund gjithashtu u largua në minutën e 79’ të takimit.
Dëmtimet duket se nuk janë të rënda për lojtarët, por trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, është shprehur se po pret rezultatin e ekzaminimeve mjekësore për të dalë në një konkluzion më të saktë. Hollandezi u shpreh:
“Në këtë moment, për Rasmus nuk mund të them asgjë pasi nuk e di. Jemi duke bërë një vlerësim dhe më pas duhet të presim 24 orë për të dalë në konkluzione dhe për të parë nëse ka apo jo ndonjë problem. Christian ndërkohë rrëshqiti në fushë, dhe është e njejta situatë dhe për të.”
Danimarka ndodhet e dyta në grupin H të kualifikueseve për Euro 2024, me po aq pikë sa kryesuesit e Sllovenisë. Danezët do të përballen me Slloveninë në date 17 nëntor në fushën e tyre, dhe më pas do të udhëtojnë drejt Irlandës së Veriut për t’u ndeshur me irlandezët në 20 nëntor. Mungesat e Hojlund dhe Eriksen janë padyshim të rëndësishme për kombëtaren, por megjithatë, Danimarka ka përsëri shanse mjaft të larta për t’u kualifikuar në Euro 2024.
Ten Hag ndërkohë ka akoma më shumë telashe për të zgjidhur, teksa 2 lojtarët i bashkohen listës së gjatë të dëmtimeve të United. Momentalisht tek “Djajtë e Kuq” Lisandro Martinez, Luke Shaw, Tyrell Malacia, Casemiro, Jonny Evans dhe Amad Diallo janë të padisponueshëm gjithashtu. Ndeshjet e kombëtareve do t’i japin Ten Hag një hapësirë kohore shumë të nevojshme, për të menduar më mirë mbi modulin e tij të lojës duke marrë parasysh mungesat e shumta.