Manchester United është duke monitoruar sulmuesin e Brentford, Ivan Toney. Megjithatë, “Djajtë e Kuq” nuk do të përfshihen në një luftë financiare për shërbimet e tij në verë. Trajneri i United, Erik ten Hag kërkon të sjellë një sulmues të klasit botëror në Old Trafford, për sezonin e ardhshëm, dhe Toney është një nga emrat më të përshtatshëm për teknikun hollandez.
Vet Toney e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga Brentford në fund të sezonit, për t’iu bashkuar një klubi elitar. Chelsea, Arsenal dhe Tottenham janë të gjithë duke monitoruar situatën, teksa Brentford kërkon rreth 100 milionë paundë për kartonin e sulmuesit. Kjo shifër konsiderohet mjaft e lartë nga drejtuesit e rinj të Manchester United. Mediat angleze kanë raportuar se Sir Jim Ratcliffe është gati të shpenzojë deri në 70 milionë paundë për sulmuesin, dhe nuk dëshiron të futet në një garë për shërbimet e tij. Kjo situate ka bërë që Chelsea dhe Arsenal të kryesojnë momentalisht garën në ndjekje të Toney.
Anglezi ka shënuar plot 70 gola në 126 paraqitje me Brentford në të gjitha kompeticionet. Megjithatë, sulmuesi nuk ka luajtur asnjëherë në Champions League, dhe është aktivizuar vetëm 1 herë me kombëtaren angleze. Kjo është një tjetër arsye që i ka bërë drejtuesit e United mjaft skeptikë për të shpenzuar mbi 70 milionë paundë për kartonin e Toney.
Ratcliffe dhe drejtuesit e tjerë ndërkohë po eksplorojnë dhe mundësinë e rikthimit të Mason Greenwood në ekip. Anglezi luan momentalisht si i huazuar tek Getafe në Spanjë, pas skandaleve jashtë fushës së blertë, që e detyruan të largohet nga United. Tashmë klubi anglez duhet të vendosë nëse do të shesë përfundimisht kartonin e Greenwood, apo të rikthejë lojtarin në ekip, nisur nga nevoja për përforcime në repartin ofensiv. Vendimi pritet të merret më vonë, në prag të sezonit të ri.