Leicester City rriti presionin ndaj trajnerit të Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, pas fitores plotësisht të merituar ndaj kundërshtarëve, në një ndeshje dramatike në King Power Stadium. United u mundua të shpëtonte një pikë nga një paraqitje e tmerrshme, por “dhelprat” siguruan fitoren e tyre më të rëndësishme të sezonit, pas një fillimi jo dhe aq të mirë të Premier League.
Humbja i dha kështu fund rekordit të United në ligën angleze, pasi të besuarit e Solskjaer ishin të pamposhtur prej 29 ndeshjesh në transfertë.
Gjithçka filloi mirë për United kur goditja e shkëlqyer e Mason Greenwood nga distanca, i dhuroi “Djajëve të Kuq” epërsinë pas 18 minutash lojë. Por Leicester rivendosi barazpeshën në fushë para pjesës së parë, kur Kelechi Iheanacho i rrëmbeu topin Harry Maguire, dhe më pas shërbeu Youri Tielemans. Ky i fundit dërgoi topin në rrjetë pa shumë mundime.
Leicester City shfaqi një formë të jashtëzakonshme pas pushimit, duke dominuar totalisht pjesën e dytë të takimit. Ishte Caglar Soyuncu që kaloi për herë të parë në avantazh të zotët e shtëpisë në minutën e 78’ të sfidës.
Marcus Rashford, i kthyer si zëvendësues tre muaj pas operacionit në shpatull, u duk se nxorri United nga situata e vështirë, kur vrapoi drejt topit të gjatë të Victor Lindelof, për të barazuar më pas shifrat me një goditje preçize. Por, në minutat e fundit, Leicester realizoi përmbysjen e madhe.
Në minutën e 83’ të takimit, Ayoze Perez i kaloi topin Jamie Vardyt, i cili goditi fort, duke mos i lënë asnjë shanc reagimi portierit David de Gea. Këtë herë nuk kishte asnjë përgjigje nga United, dhe Patson Daka shënoi golin e katërt për Leicester në kohën shtesë, duke siguruar një fitore spektakolare për “Dhelprat”.
Me një organikë super cilësore lojtarësh, të gjithë mund të bien dakord se përgjegjësitë për humbjen i takojnë trajnerit Solskjaer.