Florentino Pérez prej javësh po punon për të mbyllur rinovimin e një prej peshave të rënda të garderobës së madrilenëve, por deri tani pa sukses. Edhe pse presidenti i klubit dëshiron të rinovojë me çdo kusht, marrëveshja ende nuk është mbyllur. Bëhet fjalë për superstarin e mesfushës, Luka Modric. Klubi i ka ofruar lojtarit një kontratë të re për një sezon, njësoj si me të gjithë futbollistët që janë mbi tridhjetë vjeç te galaktikët, por ky propozim duket se nuk i ka pëlqyer kroatit.
Mesfushori ende ndihet se është një lojtar i rëndësishëm tek Real Madrid, pavarësisht moshës së tij. Futbollisti është tashmë 36 vjeç, por me futbollin dhe fizikun e tij po tregon vazhdimisht se ka nivelin e duhur, për të vazhduar të jetë titullar në Madrid. Në të njejtën kohë, trajneri Carlo Ancelotti ka ende besim maksimal te lojtari.
Kontrata e re afatshkurtër që është i propozuar nuk e bind aspak Modric. Ai do të donte minimalisht një kontratë për 2 sezone të tjera, pa ndryshuar termat financiarë, por Florentino Pérez është skeptik në këtë pjesë. Kjo gjë mund të shkaktojë një tjetër largim si ai i Sergio Ramos, të cilit si Modric, iu ofrua rinovim kontrate për një sezon. Në fund spanjolli nuk pranoi, negociatat morën fund, dhe ai nënshkroi për PSG-në.
Duke parë se rinovimi me Real Madrid ka ngelur pezull, agjentët e Modric janë duke shqyrtuar alternativat e tjera. Mesfushori kroat nuk është i interesuar për ofertat potenciale të Newcastle United, apo ish-skuadrës së tij ,Tottenahm. Por kroati mund të marrë parasysh opsionin e nënshkrimit me Manchester City-n e Pep Guardiolës. Burime jo zyrtare pranë lojtarit, bëjnë me dije se Modric e intrigon një rikthim në Premier League. Në qoftë se kroati nuk gjen gjuhën e përbashkët me presidentin Perez, “qytetarët” e Pep Guardiolës janë opsioni i parë në listë që Modric do të ndjekë.