Arsenal duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë kur vjen fjala te Moises Caicedo. Londinezët janë ende në ndjekje të mesfushorit të Brighton, pavarësisht se oferta e tyre e parë prej 60 milionë paundësh për kartonin e ekuadorianit u refuzua nga “pulbardhat”. Drejtuesit e klubit londinez kanë bërë një ofertë të dytë që konsiston në 70 milionë paundë, më saktësisht 60 milionë plus 10 milionë paundë në shtesa.
Megjithatë, Brighton pritet të refuzojë sërish ofertën, teksa mendohet se klubi kërkon 80 milionë paundë për Caicedo. Ky i fundit nuk u trajnua me ekipin në fundjavë, duke u munduar të shtyjë një transferim të mundshëm tek Arsenal apo Chelsea. Në një postim në rrjetet sociale, Caicedo u shpreh mirënjohës për mundësitë që Brighton i ka dhënë, por kërkoi mirëkuptimin e fansave dhe të klubit për faktin se dëshiron të hedhë hapin e rradhës.
Mesfushori kërkon transferimin brenda kësaj merkatoje, pasi i frikësohet mundësisë se Chelsea dhe Arsenal nuk do të jenë më të interesuar për të në fund të sezonit. Kjo pasi 2 klubet londineze mendohet se do të futen në një garë për transferimin e Declan Rice të West Ham, duke kaluar kështu Caicedo në plan të dytë.
Arsenal kërkon të firmosë me Caicedo për shkak të nevojës që trajneri Mikel Arteta ka për alternativa në mesfushë. Thomas Partey mori një dëmtim në sfidën ndaj Manchester City, dhe pavarësisht faktit se dëmtimi nuk duket i rëndë, tekniku spanjoll e di mjaft mirë se sezoni është i gjatë dhe mjaft kompetitiv.
Moises Caicedo duket alternativa perfekte për “topçinjtë”, dhe në rast se Chelsea nuk vjen me një ofertë më të mirë, Brighton mund të jetë i detyruar të plotësojë dëshirën e lojtarit, duke i dhënë dritën jeshile transferimit në Emirates.