Tashmë është zyrtare, Mauricio Pochettino do të jetë trajneri i ri i Chelsea, të paktën deri në vitin 2026. Argjentinasi ka firmosur një kontratë për 3 vite me blutë e Londrës dhe ka detyrën e vështirë të rindërtimit të Chelsea, që kaloi një nga sezonet më të vështira në historinë e vet në Premier League.
Klubi londinez ka ndërruar 3 herë trajnerin gjatë sezonit që lamë pas, dhe për herë të parë që prej vitit 1996, e mbylli kampionatin në gjysmën e dytë të renditjes së përgjithshme. Në pjesën e fundit të sezonit, Frank Lampard u vendos në krye të stolit si teknik i përkohshëm, por anglezi nuk ia doli dot të frymëzonte blutë.
Chelsea ka shpenzuar gati 600 milionë paundë në merkato që prej verës së kaluar, dhe kjo do të thotë se Pochettino duhet të organizojë një ekip me shumë talente, si dhe duhet të heqë dorë prej disa prej tyre. Sipas mediave angleze, prioriteti i klubit në merkaton e ardhshme është një mesfushor qëndror. Emri më i përmendur i momentit është ai i Manuel Ugarte, i cili aktivizohet me Sporting Lisbon në Portugali. Megjithatë, Chelsea pritet të ketë konkurrencë për të siguruar kartonin e mesfushorit, i cili është gjithashtu nën shënjestrën e Liverpool dhe PSG.
Duke qënë se Chelsea nuk do të luajë në Europë sezonin e ardhshëm, pritshmëritë janë të larta ndaj Pochettino, dhe bordi drejtues kërkon një paraqitje sa më të mirë në Premier League sezonin e ardhshëm. Trajneri argjentinas do të zbarkojë në Stamford Bridge së bashku me ekipin e tij të asistentëve.
Frank Lampard ndërkohë gjithashtu është shprehur me nota pozitive për Pochettino, duke vlerësuar aftësitë e tij si trajner, si dhe potencialin e tij për të krijuar një ekip me identitet, që mund të fitojë më shumë ndeshje.