Pavarësisht linkimeve të vazhdueshme për një transferim tek Manchester United, duket se Frenkie de Jong përsëri nuk dëshiron të largohet nga Barcelona. Para disa ditësh, në mediat spanjolle u publikuan lajme se hollandezi është duke kërkuar një mënyrë për t’u larguar nga Camp Nou, por këto raportime janë përgënjeshtruar nga burime mjaft të afërta pranë mesfushorit.
Duket se De Jong nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona, teksa lojtari i ka cilësuar disa herë blaugranat si klubi i tij i ëndrrave. Megjithatë, mund të jetë vet Barcelona që nisur nga situata e vështirë financiare, mund të detyrohet të shesë shërbimet e hollandezit.
Momentalisht, mesfushori po paguhet nga klubi dhe për rrogat e prapambetura nga periudha e pandemisë. Sipas mediave spanjolle De Jong po arkëton plot 720 mijë paundë në javë, ndërkohë që Barcelona ka dhe borxhe të tjera ndaj futbollistit. Për më shumë, para disa kohësh vet drejtues të klubit kërcënuan lojtarin me përndjekje ligjore, në lidhje me kontratën e tij.
Marrëveshja e De Jong me Barcelona u lidh në kohën e presidentit Josip Maria Bartomeu, i cili është tashmë i dënuar për mashtrime financiare. Drejtuesit e bordit tek Barcelona argumentojnë se kontrata e De Jong nuk është e ligjshme.
Ndërkohë është raportuar se vet lojtari ka refuzuar një marrëveshje të re nga klubi, sipas të cilës mesfushori do të ishte pjesë e skuadrës deri në vitin 2029. Kjo ishte arsyeja se përse mediat spanjolle aluduan se De Jong kërkon të largohet nga blaugranat, por kjo nuk është e vertetë. Besohet se arsyeja kryesore e refuzimit për kontratën e re është paketa financiare, që parashikohej të ishte shumë më e ulët nga ajo aktualte që De Jong përfiton.
Mbetet të shohim nëse hollandezi i talentuar do të firmosë një kontratë të re me Barcelona në të ardhmen, apo do të vendosë të largohet në fund të sezonit.